Juventusi po kalon ditë të vështira. Edhe pse të shtunën me shumë mundësi do të fitojë titullin kampion në Serinë A (i teti radhazi), festa bardhezi do të jetë e zbehtë. Me mbërritjen e Cristiano Ronaldos kishte lindur ëndrra e Champions League, por as golat e yllit portugez nuk mjaftuan për të kaluar Ajaxin, një rival që në letër ishte inferior.
Sigurisht që disfata në Champions nuk mund ta bëjë të lumtur Cristianon, që pjesën e tij e bëri më së miri: ishte heroi i përmbysjes ndaj Atletico Madrid dhe shënoi një gol në secilën ndeshje ndaj holandezëve. Dje, “Corriere della Sera” publikoi se CR7 mund të largohet përpara kohe nga Juventusi, madje që këtë verë.
Edhe pse duket e pamundur kjo gjë, sot një tjetër gazetë e rëndësishme italiane, “La Repubblica” shkruan se portugezi nuk do ta respektojë kontratën me Juven deri në vitin 2022. “Është shumë e vështirë që CR7 të qëndrojë deri në fund të kontratës. Sezoni i ardhshëm do të jetë i fundit i tij në Itali”, lexohej në gazetë.
/a.meta