Vazhdojnë largimet nga radhët e Partisë Demokratike. Tre kandidatë, pjesë e listave shumëemërore të PD-së kanë devijuar nga vendimi i grupeve dhe kanë vendosur të pranojnë mandatin e deputetit, duke dorëzuar sot pranë KQZ formularin e dekriminalizimit.
Ata janë Nikolin Staka dhe Zef Shtjefni të dy nga lista e PD-së për qarkun Shkodër dhe Artur Roshi nga lista e PD-së për qarkun e Tiranës.
Zef Shtjefni, Partia Ora e Shqiperisë, Artur Roshi, Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, dhe Nikolin Staka, Lëvizjen Demokratike për Ndryshim, PLDN, janë tre emrat e rinj të cilët pritet që t’i bashkohen Kuvendit.
Ndërkohë më herët sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për dhënien e mandatit të deputetit 4 kandidatëve të rinj nga listat shumë emërore të PD dhe LSI.
KQZ vendosi sot t’i japë mandatin e deputetit të Kuvendit, kandidatit të radhës në listën shumë emërore të Partisë Demokratike, Qarku Gjirokastër, Floriana Dhimitri, Qarku Korçë, Andi Përmeti, Qarku Berat, Eugen Bojaxhi dhe Qarku Tiranë, Erion Piciri.
Gjithashtu KQZ vendosi të regjistrojë “Partia Komuniste e Shqipërisë”, me kryetar Qemal Cicollari, si subjekt zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.
Kështu, shkon në 109 numri i deputetëve. Ndërkohë që opozita e re bëhet me 30 deputetë nga të cilët 17 të Partisë Demokrate dhe 13 nga LSI.
/a.rada