Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të drejtohet nga regjisori Eduart Makri.
Ministra e Kulturës i propozoi kryeministrit për këtë pozicion dy emra, Ilir Butka dhe Eduart Makri. Me vendim të kryeministrit Edi Rama u shpall fitues kandidatura e Eduart Makrit, përballë ish-kryetarit të qendrës së filmit Ilir Butka.
Regjisori Eduart Makri ka lindur në 5 qershor të vitit 1957 në qytetin e Gjirokastrës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit fillon punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si regjisor dhe skenarist. Në vitin 1993 fillon punën si pedagog në Akademinë e Arteve. Në kinematografi roli i tij i parë si aktor do të jetë ai i Vasos në filmin “Vëllezër dhe shokë” në vitin 1980.
Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si ai në rolin e Aristotelit në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, Gjergji në filmin “Besa e kuqe”, Andrea në filmin “Në emër të lirisë”, Pirro në filmin “Shpresa”etj. Në regjisurë pjesëmarrja e tij e parë do të jetë si as/regjisor i dytë në filmin “Plaku dhe hasmi” në vitin 1981, duke realizuar gjithsej 11 regji si asistent regjisor në po kaq filma duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Gëzim Erebara (Artist i Merituar), Hysen Hakani, Kujtim Çashku (Artist i Merituar), Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) etj.
Si regjisor, filmi i parë i drejtuar plotësisht prej tij do të jetë filmi “Shpresa” në vitin 1989 e ndjekur në “Shpella e Piratëve” 1991. Me vendosjen e tij në qytetin e Torontos (Kanada) ai do të vazhdojë profesionin e tij.
/a.rada