Ish-kapiteni i Ajaxit, i cili luan tani për Sydney FC, Siem de Jong, ka bërë të ditur se do t’i pëlqente ta shihte bashkëkombësin e tij, kapitenin aktual të Ajaxit, Matthijs de Ligt, t’i bashkohet Barcelonës.
Trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që fituesi i çmimit “Golden Boy”, Matthijs de Ligt, të mos largohet nga klubi holandez këtë verë. Për De Ligtin kanë shprehur interesim Barcelona, Bayern Munich, Manchester City e Juventusi, transmeton Gazeta Express.
Holandezi 19-vjeçar shkëlqeu me paraqitjen e tij në ndeshjen e mbrëmshme kundër Juventusit, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Ai e shënoi golin e fitores në triumfin me rezultat të përgjithshëm 3:2, duke ia siguruar Ajaxit një vend në gjysmëfinale.
“Kam dëgjuar shumë histori për klubet që dëshirojnë ta blejnë atë. E kuptoj këtë gjë. Ai është shumë i ri dhe shumë i fuqishëm fizikisht”, ka thënë De Jong, i cili është i huazuar në Sydney FC nga Ajaxi.
“Ai është i mirë edhe sa i përket aspektit mendor. Është një djalosh i mirë dhe është i mirë për skuadrën. Nuk jam i sigurt se ku do të shkojë, ai ka mjaft shumë opsione. Njëra prej klubeve të preferuara të mia është Barcelona, kështu që s’do të më pengonte ta shihja aty”.
Nëse De Ligti vendos ta marrë këtë këshillë, ai do të ribashkohet me yllin tjetër të Ajaxit, Frenkie De Jongun, i cili veçse ka nënshkruar marrëveshje me Barcelonën për t’u transferuar atje në fund të këtij sezoni.
De Ligti u bë lojtari më i ri holandez që shënon gol në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve që nga prilli i vitit 1996, kur Nordin Wooter kishte shënuar për Ajaxin në ndeshjen kundër Panathinaikosit. Për më tepër, holandezi u bë edhe mbrojtësi i dytë më i ri që shënon në këtë fazë të Ligës së Kampionëve, pas Joel Matipit.
g.kosovari