Grupet më të dhunshme të krimit të organizuar përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane, duke tejkaluar terrorizmin dhe migrimin, tha Europol. Grupet mafioze italiane, shqiptarët e evropianët lindorë si dhe bandat motorike “të jashtëligjshme” janë “lojtarët” kryesorë të krimit në kontinent, thanë zyrtarët në një konferencë të udhëhequr nga agjencia anti-mafia e Italisë dhe agjencia e policisë e BE-së, Europol.
Por grupet aziatike, afrikane dhe amerikano-jugore ishin gjithashtu duke u futur në biznesin e krimit të organizuar prej 110 miliardë euro në vit, ku shumë njerëz punojnë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. “Aktualisht krimi i organizuar përbën rrezikun më të lartë për sigurinë e brendshme të BE”, tha Jari Liukku, kreu i Qendrës Evropiane të Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Europollit, në një konferencë shtypi.
Zyrtarët thanë se krimi i organizuar ishte “në hije” vitet e fundit kur Europa u përball me një valë sulmesh terroriste dhe një krizë të madhe migracioni. “Për të parandaluar krimin e organizuar ne duhet të veprojmë ndërkombëtarisht, sepse grupet e krimit të organizuar tashmë po e bëjnë këtë (bashkëpunimin ndër-kontinental)” shtoi Liukku, shkruan “France 24”.
Giuseppe Governale, kreu i Drejtorisë së Hetimeve Anti-Mafia të Italisë, tha se Cosa Nostra siciliane, “Ndrangheta” e Kalabrisë dhe Kamorra Napolitane janë ende “kampionë” të mafies, por shtoi se problemi është bërë më i përhapur. “Ky është një problem evropian,” tha ai.
Autoritetet evropiane po shikojnë që të godasin pastrimin e parave. “Pesha e pastrimit të parave ka një ndikim të madh në shoqëri, të gjithë sektorët janë destabilizuar dhe mund të rrezikojnë ekonominë dhe sigurinë kombëtare”, shtoi ai. Një shenjë dalluese e grupeve të reja të krimit të organizuar ishte një nivel në rritje i dhunës, thanë zyrtarët në konferencë.
Suedia në veçanti kishte parë një rritje të pashembullt të dhunës, e ngjashme me një “forcë të ulët lufte”, tha zyrtari i lartë i policisë suedeze Jale Poljarevius. Të shtënat fatale ishin rritur nga 15 në vit në 2011 në mbi 40 në vitin 2018, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2019 ka pasur 12 vdekje me armë në 67 shkëmbime – si dhe një të vdekur në 47 shpërthime me granata.
“Suedia kurrë nuk ka parë këto lloj numrash,” tha Poljarevius. Në dhjetor autoritetet e BE njoftuan arrestimin e rreth 90 të dyshuarve mafioz të grupit Ndrangheta në gjashtë vende në Evropë dhe në Amerikën e Jugut.
/a.meta