Nga Alfred Peza
Opozita dhe opozitarët shqiptarë, pas dështimit spektakolar të protestës së 13 prillit në Tiranë, janë në kërkim të një fabule tjetër, të një kazusi tjetër, të një kauze, çështje, ngjarje, lajmi, detaji, thashethemi, fake neës-i të radhës kundër mazhorancës qeverisëse. Nuk ka rëndësi fare se çfarë është. E rëndësishme është që makina e propogandës opozitare të vazhdojë të eci. Herë duke e shtyrë, herë me tërheqje, herë me karroatrec, herë me karburant të marë borxh, e herë me shoferë që e ndërrojnë vendin e timonit, sipas rrugës që kanë përpara.
Sepse më e rëndësishme se e gjitha kjo, është që të mbahen në këmbë shpresat e militantëve për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Rama, nëpërmjet rrugës së daljes nga sistemi parlamentar. Pavarësisht se vetë e dinë se përse e bëjnë dhe që mrekullia e ëndërruar nuk do u ndodhë, por vazhdojnë. Sepse u duhet që të gatuajnë ushqimin e shpirtit politik, për mbështetësit dhe përkrahësit e tyre. E bëjnë këtë çdo orë, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj. Me një këmbëngulje të admirueshme. Pasi mbaron dita e bashkë me të edhe mbrëmjet e debateve politike televizive, vjen tortura e pagjumësisë së natës. Sepse të djegësh mandatet e gjithë deputetëve të opozitës, si asnjëherë më parë në historinë e demokracive funksionale të njerëzimit, nuk është një gjë edhe aq e thjeshtë sa u duk në fillim.
Tani që as populli nuk po u shkon pas, as Shqipëria e as bota nuk u përmbys, as qeveria nuk u rrëzua dhe as ndërkombëtarët nuk po i përkrahin, kuptohet që syri rri zgjuar e mendja nis e punon për të gjetur karburantin që do të mbajë ndezur makinën e shpresës. Kështu kalon sërisht një natë tjetër. E cila ironikisht përkon edhe me titullin e një poezie të njohur të Migjenit, “Një natë pa gjumë”: Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla./ Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,/ kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,/ urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.
E duke mos ditur se çduan, sapo zgjohen të nesërmen e turren si të çakërdisur, në kërkim të ushqimit propogandistik të ditës. Pak rëndësi ka nëse u duhet që të merakosen se kush e vrau një prej grabitësve të Rinasit. Se përse policia mbron institucionet, kur të thirrurit prej tyre në protesta i sulmojnë duke ushtruar dhunë duke i sulmuar me gjithfarë arsenali lëndësh shpërthyese e piroteknike ligjërisht të ndaluara.
Pavarësisht se çfarë thonë me gojë, praktikisht e rëndësishme për ta është që Shqipëria të mos e marrë datën e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE. Sepse kështu do kenë më shumë karburant, madje edhe më cilësor këtë radhë, për makinën e tyre propogandistike kundër qeverisë. Ndaj ngazëllehen kur dëgjojnë ndonjë deklaratë, kur kapin ndonjë shenjë, ndonjë lajm, ndonjë koment a sinjal që vjen nga përtej kufijve e që i bën të besojnë se mrekullia që mund tua japë pushtetin e shumëndërruar në tavolinë, edhe mund të ndodhë.
Orët e fundit u ngazëllyen kur populistët hollandezë kërkuan në Parlamentin e tyre, heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në mes të fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian, me pretekstin e krimit të organizuar. Për liderët e opozitës sonë ky po që është një lajm i madh. Shumë i madh madje. Sepse për ta partia është më e rëndësishme se Shqipëria. Sepse ata vërtetë flasin në emër të popullit, porn ë fund të fundit ata vetë kanë pasaporta diplomatike dhe aq u bën për shqiptarët e thjeshtë.
Por ky lajmi i vizave u erdhi si shiu në mes të shkretëtirës politike. Ndaj ai është shumë i rëndësishëm për ta, sepse ua prish më pak gjumin natën sesa lajmet e tjera. Pak rëndësi ka për ta, se qeveria hollandeze tha se vizat nuk janë hequr. Se ministri i Brendshëm ia numëroi populistëve në sallën e Parlamentit të vet, faktet se numri i personave të dyshuar shqiptarë nga viti në vit ka ardhur në ulje. Madje për ta nuk ka rëndësi as fakti zyrtar se mes 244 500 të dyshuarve që figurojnë në regjistrin e autoriteteve holandeze, për vitin 2018, shqiptarët zinin vetëm 0.2% të të gjitha rasteve të kriminalitetit në Hollandë.
Sepse për opozitarët tanë ka rëndësi vetëm një gjë: Të shohin një fije drite dhe të gjendet një fije shprese, në fundin e tynelit të errët ku e kanë futur prej dy muajsh “Opozitën e Bashkuar” shqiptare. U duhet pak karburant për makinën e tyre më pas, për të shkuar deri atje. Me lutjen se do mund të gjejnë një rrugëdalje, nga mbretëria e errësirës ku po enden pa shpresë.
E gjitha kjo, të kujton sërisht poetin e mjerimit, a thua se vargjet e tij të jenë shkruar enkas për liderët e opozitës sonë, që duket se në pagjumësinë e natës, recitojnë papushim vargjet: Pak dritë! O burrë! O hero! ngado që të jesh!…/ Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!/ Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,/ se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.