Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u prit në takim nga Presidentja e Senatit Maria Elisabetta Alberti Casellati dhe Presidenti i Dhomës së Deputeteve Roberto Fico.
Ruçi diskutoi me Presidenten e Senatit Casellati dhe Presidentin e Dhomës së Deputetëve Fico edhe mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërparlamentar midis Senatit, Dhomës së Deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Ai foli edhe për procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe dialogun e saj me Serbinë të lehtësuar nga BE.
“Procesi i Integrimit në BE mbetet nxitja e vetme për vendet e Ballkanit Perendimor. Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për rolin pozitiv ndaj Kosovës, veçanërisht për votën e saj në Interpol dhe qëndrimin e saj mbi Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shqiperia mbështet Kosoven në procesin e integrimit evropian. Populli kosovar e meriton liberalizimin e vizave dhe Shqipëria inkurajon vendet e BE-së të votojnë për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje ligjore detyruese për njohjen reciproke që sjell anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar në Kushtetutën e Kosovës”, tha Ruçi.
Presidentja e Senatit Casellati tha se vlerëson reformat e kryera në Shqipëri, sidomos reformën në drejtësi, një reformë e vështirë, e cila po rindërton besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Bashkëpunimi me Shqipërinë është solid, i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, i mbështetur në miqësinë e fortë midis të dy popujve. Ne vlerësojmë reformat e kryera në Shqipëri, sidomos reformën në drejtësi, një reformë e vështirë, e cila po rindërton besimin e qytetarëve te drejtësia. Mbështetja jonë për integrimin e Shqipërisë buron nga roli i Italisë si themeluese dhe kontribuese e paqes, demokracisë dhe ekuilibrave të BE-së. Italia është qartësisht në mbështetje të afrimit dhe pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Casellati.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve Fico nënvizoi se integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është i rëndësishëm edhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, përballëe rreziqeve të jashtme, si rreziku rus.
“Ndjek me vëmendje dhe i njoh shumë mirë zhvillimet në Shqipëri. Dhoma e Deputetëve mbështet fuqimisht bashkëpunimin me Shqipërinë dhe inkurajon qeverinë italiane ta zgjerojë këtë bashkëpunim. Italia është absolutisht në mbështetje të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe këtë unë e nënvizova edhe në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare në Vjenë, në datat 8-9 prill. Integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është i rëndësishëm edhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, përballëe rreziqeve të jashtme, si rreziku rus”, tha Roberto Fico.
/a.meta