Kryetarja e Gjykatës së Lushnjës, Esmeralda Çeka, ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Vettingun. Nga deklarata në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit dhe nga hetimet e KPK-së, rezulton se Çeka ka deklarim të saktë të pasurisë dhe në përputhje me ligjin.
Sipas KPK-së, ajo ka burime të ligjshme, nuk ka kryer fshehje të pasurisë dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit. Në lidhje me një hua të marrë nga subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj, Komisioni kërkoi shpjegim nga kryegjyqtarja.
Ajo deklaroi se shtetasi që ka dhënë huanë, kishte mundësi ekonomike. Në lidhje me pastërtinë e figurës, Esmeralda Çeka ka plotësuar saktë formularin dhe është e përshtatshme për vazhdimin e detyrës.
Ndërsa lidhur me kriterin e tretë, sipas KPK, kryegjyqtarja ka treguar aftësi profesionale, nivel të lartë etike dhe angazhim profesional. Vendimi për Çekën do jepet më 18 Prill.
/a.rada