Pritje, ankth dhe emocion në radhët e Skënderbeut. Korçarët do të marrin sot përfundimisht përgjigjen në lidhje me atë çfarë do të vendoset nga dënimi i dhënë tri vite më parë nga ana e UEFA-s. 16 prilli është dita e madhe ku çdo dilemë do të mbyllet ndoshta njëherë e përgjithmonë.
Për të qenë prezent në takimin ku vendoset e ardhmja e Skënderbeut, Ardjan Takaj është nisur ditën e djeshme drejt Zvicrës. Burime të gazetës bëjnë me dije se numri një i klubit bardhekuq ka qenë i shoqëruar nga djali i tij dhe njëkohësisht administratori i përgjithshëm, Gerhardi, si dhe enturazhi i avokatëve të kompanisë “De Pfyfer”, të angazhuar nga Skënderbeu në lidhje me këtë çështje.
Takimi që pritet të nisë ditën e sotme në orën 10:00 të mëngjesit dhe mendohet të zgjasë diçka më shumë se 4 orë, ku korçarët do të vijojnë deri në fund me pretendimet e tyre. Burimet e gazetës bëjnë me dije se enturazhi i bardhekuqve është nisur drejt Nionit ku do të ketë një seancë pajtimi mes palëve, ndërsa nga ana tjetër klubi zyrtarisht bën me dije se gjithçka do të zgjidhet në Lozanë në zyrat e KAS.
Nga burime të gazetës “Panorama Sport”, mësohet se trajnerët që ishin zgjedhur për ekspertizën e ndeshjeve dhe golave, për të cilët dyshohen korçarët që kanë trukuar, janë tërhequr. Ata nuk duan të dëshmojnë. Por jo vetëm kaq, pasi edhe shefi i Sektorit të Integritetit dhe Çështjeve Disiplinore të UEFA-s, Emilio Garsia, nuk është më në UEFA, por ka kaluar te FIFA./panorama sport
g.kosovari