Analizë e ekspertit të DEA-s, Mike Vigil – Ish-bosi i kartelit të Sinaloas, Joaquin “El Chapo” Guzman gjendet në një burg të Manhattanit në pritje të vendimit që me siguri do të jetë burgim i përjetshëm, e që do t’i duhet ta kalojë në një prej burgjeve të sigurisë më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Që prej kapjes së tij në fillim të vitit 2016, grupet kriminale të Meksikës kanë luftuar mes tyre, ndërkohë që karteli i themeluar prej tij dhe rivalët e tjerë duken se janë të gatshëm të hapin një fazë të re në betejën e tyre për dominim.
Më pak se dy javë pasi Guzman u shpall fajtor, të paktën 5 “narcomantas” (parulla me mesazhe nga grupet kriminale) janë gjetur në Guadalajara, qyteti i dytë më i madh i Meksikës dhe kryeqytet i shtetit Jalisco, që është edhe bastion i rivalit kryesor të kartelit të Sinaloas, atij “Jalisco New Generation”.
I njëjti mesazh shfaqet gjithashtu në të gjitha parullat, sipas një raportimi të medies lokale “Proceso”, që kërkojnë të shënojnë nisjen e një “spastrimi” të ri në Meksikë, mbështetur nga qeveria, dhe që premton të rikthejë “shkollën e vjetër”, një term që i referohet “gardës së vjetër” të trafikantëve të drogës, pjesë e së cilës është edhe Zambada, ndër të paktët që janë ende gjallë dhe në liri të plotë.
Mesazhet në Guadalajara i atribuohen Ismael “El Mayo” Zambada, pasi përmbajnë edhe emrin e tij. Të tilla parulla me këto mesazhe shihen si tregues se Zambada kërkon të vendosë një rend të ri në botën “e errët” kriminale. Në shtetin e Sinaloas, parullat që i atribuohen Zambadës kanë një mesazh të qartë: Rreshtohuni, përndryshe do t’iu rreshtojmë ne!
Zambada, i cili ka shpëtuar mrekullisht pa u kapur kurrë, ka qenë zëvendësi (për të mos thënë me të njëjtin status) i Guzmanit në krye të kartelit të Sinaloas dhe tashmë besohet të jetë në arrati së bashku me djemtë e Guzmanit, të cilët triumfuan në një betejë të brendshme disamujore për kontroll.
Pak ditë pas shfaqjes së këtyre parullave në Guadalajara, vëllai i Damaso Lopez Nunez, ish-krahut të djathtë të Guzmanit deri pak para kapjes dhe dëshmimit kundër tij në SHBA, u vra në shtetin e Sinaloas.
“Karteli i Sinaloas po ndërmerr hapat ndëshkimore kundër të afërmve të Damasos sepse tentoi të vriste Mayon dhe djemtë e El Chapos”, thotë Mike Vigil, ish-shef i operacioneve ndërkombëtare të DEA-s, për “Business Insider”, duke iu referuar një incidenti të vitit 2017.
“Çështja tjetër është se karteli i Sinaloas po përpiqet të zhdukë kartelin Jalisco New Generation, ndërkohë që brenda këtij të fundit ka një kryengritje të brendshme”, shton më tej eksperti Vigil, duke iu referuar një grupi në Guadalajara të quajtur karteli “Nueva Plaza”, që po lufton ndaj Jaliscove edhe me mbështetjen e kartelit të Sinaloas.
“Karteli i Sinaloas po përpiqet të shfrytëzojë avantazhin e kësaj kryengritjeje, por edhe faktin që qeveria meksikane është vënë në ndjekje të kreut të kartelit Jalisco New Generation, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur edhe si ‘El Mencho’”, shprehet Vigil, i cili thekson se lëvizjet e fundit të kartelit të Sinaloas jo domosdoshmërisht janë të lidhura me dënimin e Guzmanit.
Karteli i Jaliscos ka tërhequr vëmendje të posaçme nga autoritetet edhe për shkak të prirjeve për dhunë, teksa situatën dhe lëvizjet e fundit nuk i ka lënë pa përgjigje. Më 5 mars, një tjetër “narcomanta” u gjet në këmbët e një ure në Tijuana, me një mesazh drejtuar Zambadas. Në të thuhej se qyteti “nuk është sheshi juaj” dhe ishte firmosur nga persona që pretendojnë të jenë anëtarë të kartelit “Tijuana New Generation”, që po lufton në krah të “Jalisco New Generation” për të kundërshtuar kontrollin e kartelit të Sinaloas në Tijuana, një udhëkryq i rëndësishëm kufitar.
Më 31 mars, një “narcomanta” u gjet në krah të dy trupave në qytetin Aguascalientes, kryeqytet i shtetit të vogël qendror me të njëjtin emër në Meksikë, të cilën mediet lokale e raportojnë si mesazh nga karteli i Sinaloas për atë të Jaliscos, duke parë shenjat e torturave në trupat e pajetë. Njëri prej tyre ishte një shpërndarës i rëndësishëm droge në zonat rezidenciale të këtij qyteti. Pikërisht lufta që ka shkuar deri te shpërndarësit në rrugë është fajësuar për rritjen e ngjarjeve të dhunshme në Meksikë, veçanërisht në Tijuana, Ciudad Juarez dhe Mexico City.
“Ditët e tij janë të numëruara”
Zambada besohet të ketë drejtuar kartelin e Sinaloas së bashku me Guzmanin që prej krijimit të saj në vitet ’90. Madje, ekipi ligjor mbrojtës i Guzmanit në gjyqin amerikan theksojnë se Zambada ishte kreu i vërtetë i kartelit të Sinaloas dhe jo “El Chapo”.
Zambada dhe Oseguera duket se kanë sistemuar tashmë emrat e tyre në krye të hierarkisë narkomane të Meksikës. E megjithëse mendohet se Zambada po përpiqet të ushtrojë ndikimin e tij në grupet e tjera, stabiliteti i vet atij nuk është i garantuar.
“Mendoj se, nëse do të isha Mayo, do të mbaja sytë hapur dhe të ushtroja autoritet të theksuar brenda kartelit të Sinaloas, për të parandaluar ndonjë kryengritje të brendshme”, thotë eksperti i DEA-s, Vigil.
Zambada thuhet të jetë rreth të 70-ave, më i vjetër sesa Guzman, e mendohet madje të ketë probleme shëndetësore pasi vuan nga diabeti. Mosha dhe problemet shëndetësore, bashkëngjitur këtu moseksperiencën dhe rrëmbyeshmërinë e djemve të Guzmanit, të cilët prezumohen pretendentët e radhës në linjën e kontrollit, janë probleme për të cialt qoftë miqtë, ashtu dhe rivalët janë në dijeni.
“Zambada nuk ka qasje ndaj një kujdesi të mirë mjekësor, pasi endet maleve” të Meksikës veriperëndimore, thotë më tej Vigil. “Ndaj mendoj se ditët e tij janë të numëruara dhe kur të ndodhë (vdekja)…Djemtë e Guzmanit nuk i kanë ndyer duart me punë të pista, thjesht janë katapultuar në radhët më të larta drejtuese. Personalisht mendoj se janë të paaftë për të drejtuar kartelin, kështu që nuk do të kenë respektin e të tjerëve”.
Me djemtë e Guzmanit në krye, “me siguri do të shohim një tkurrje të kartelit të Sinaloas në aspektin e staturës por edhe të kapaciteteve, e përfundimisht do të ketë fraktura. Forca brenda saj do të përçahen”, ndërkohë që djemtë dhe vëllai i Guzmanit do të luftojnë për sa më shumë kontroll të munden, vijon analizën e tij eksperti i DEA-s. “Nuk ka për të qenë më e fuqishme si tani, do të shpërbëhet”, siç ka ndodhur edhe me “Zetas” apo kartelin e “Gjirit” (Clan de Golfo), kur presioni ndaj tyre është shtuar shumë dhe udhëheqësit kryesorë janë eliminuar. /BUSINESS INSIDER