Programi Kombëtar i Praktikave Profesionale 3 mujore do të krijojë një lidhje më të fortë midis universiteteve dhe tregut të punës.
Kështu deklaroi nga studio e ERTV-së, Zëvëndësministrja për Rininë, Lorena Haxhiu, e cila sqaroi se qëllimi i programit është t’i pajisë të rinjtë me një përvojë kualifikuese pune, menjëherë pasi ata përfundojnë studimet.
“Tashmë janë përzgjedhur 951 studentë që po kryejnë praktikën tre mujore jo vetëm në administratën publike por edhe në 51 bashki të vendit dhe në disa shoqëri tregtare si bankat e nivelit të dytë. Nga këta, 200 praktikantët me performancën më të mirë do të punësohen në institucionet qëndrore dhe të varësisë së ministrive. Në këtë thirrje të katërt, ne bëmë një lloj shpërndarje gjeografike edhe për të lehtësuar kushtet e studentëve që duan të kthehen në vendlindje pas studimeve”, tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se përveç këtij programi, për të forcuar lidhjen midis studentëve dhe tregut të punës, secila ministri ka marrë në patronazh nga një universitet publik, duke ofruar hapësirat që studentët të kryejnë praktikat mësimore në institucionet e varësisë.