Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka shprehet me bindje të plotë se nuk do të ketë zgjedhje lokale pa opozitën me 30 qershor, datë kjo e dekretuar nga Presidenti i Republikës.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Paloka lëshoi një deklaratë të fortë, ku tha se nëse kjo do të ndodhë (të mbahen zgjedhje pa opozitën”, atëherë ai do të largohet përfundimisht nga skena politike.
Gjithashtu Paloka foli edhe për makinën e djegur dje para Kuvendit, teksa e cilsoi si rast provokimi dhe përjashtoi faktin që opozita të ketë gisht në këtë skenar.
Sipas Palokës, nëse do të vijohet kështu me revolta qytetare nga njëra anë dhe me arrogancë të qeverisë nga ana tjetër, pamje si të djeshmet, mund të bëhen rutinë.
“Nuk ka asnjë të arrestuar. Kjo polici iu çon gaz lotsjellës qytetarëve në shtëpi, iu çanë koka dhe iu thyen këmbët. Nuk ka zot që ia lanë faturat. Policët nuk janë plagosur . Ata flasin për dhunë, pse? Sepse janë hedhur fishekzjarrë. Nuk ka pasur dhunë.
Gazetarët u dhunuan dhe u gjakosën, por edhe 15 qytetarë.
Nuk ka ta të drejtë ta përdorë gazin në protesta të tilla. Këto nuk kemi ku t’i verifikojmë, sepse Prokuroria, gjykata dhe policia janë të Ramës dhe të qeverisë. Gazi është hedhur kur Basha po fliste para mediave. Të gjithë do të mbajnë përgjegjësi.
Të jenë të bindur se nesër një më një do të mbajnë përgjegjësi. Nesër asnjë nuk do të harrohet. Nesër do të japin llogari së bashku me shefin e tyre.
PD ka mbajtur një qëndrim zyrtar dhe është shprehur se djegia e makinës ka qenë një provokim dhe makina ka qenë siç rezultoi me targa false, që rezulton e një makinë tjetër e regjistruar në Sukth.
Kështu siç po shkon puna, këto pamje do të jenë normale në rrugët e Tiranës. Policia duhet të ruajë rendin dhe sigurinë dhe të kapë grabitësit. Si ikën grabitësit, si u zhdukën?
Ato duhet të kapë policia, po ato nuk i kapë dot sepse i ka në parlament. Siguria shkelet çdo ditë nga qeveria dhe jo nga qytetarët.
Nuk mund të këtë zgjedhje pa opozitën, Rama e di i pari dhe e dinë edhe diplomatët.
Nuk ka datë dhe nuk mund të them se kur mund të largojmë Ramën.
Në këtë mënyrë siç po shkon, nga revolta qytetare në njërën anë dhe nga krahu tjetër arroganca e qeverisë, mund të shkojmë edhe tek një përplasje që nuk e do askush.
PD është rritur në sondazhe në pak kohë me 10 pikë. Ne po ecim si opozitë dhe rruga jonë është pa kthim.
Vendimi politik nuk ka më ekstrem. Do të ecim me këtë formë, me revolta dhe me çdo mjet deri sa ta detyrojmë Ramën të realizojë zgjedhje të ndershme.
Ne nuk do të lejojmë këtë. Nëse Rama zhvillon dot zgjedhje pa opozitën, unë do të dalë nga politika dhe këtë po e them këtu”, tha Paloka.
/a.rada