Në tubimin e djeshëm të opozitës nuk munguan protestues të maskuar që me armë të ftohta provokonin dhe sulmonin kordonin e policisë.
Njëri prej tyre, Armando Gecaj, 26 vjeç, është pikasur nga kamerat në disa nga momentet e dhunës që u shënuan si para kryeministrisë, ashtu edhe para Parlamentit.
Fillimisht nxjerr nga xhepi i xhupit të tij një numër të madh kapsollësh, dhe nis t’i shpërthejë para kordonit të policisë të vendosur në hyrjen e kryeministrisë.
Shfaqet me shashka në duar, gjithmonë në rreshtin e parë të protestuesve. Më tej tek Parlamenti. Aty heq me forcë gardhin metalik të vendosur para godinës së Kuvendit që u tentua të sulmohej nga protestuesit, dhe që detyroi policinë që për herë të parë në këtë protestë, të përdorte gazin lotsjellës, që nuk ishte i nevojshëm në momentin që u ça kordoni me efektivë tek Kryeministria.
Ai tashmë është arrestuar nga Policia e Tiranës, dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi edhe vetë ka pësuar lëndime në trup gjatë përplasjeve, shkruan Report tv.
Është i njëjti që Partia Demokratike ka marrë në mbrojtje.
Ish-deputeti Bardh Spahia i ka shkuar në spital protestuesit, i cili qëndron në krevat i prangosur në një dorë. Para ish-deputetit, protestuesi, këtë radhë i pamaskuar thotë se nuk ka qenë prezent në asnjë skenë dhune.
“Veç kam protestuar. Kam pas një zinxhir. Shi si e kam shpinën, më kan qëlluar në shkelma, këto shenja nuk rrejnë atë se çfarë më kanë bërë mua. Të ma sjellin një kamer që kam qëlluar, nuk i kam gjuajtur kujt, kam mbajtur një zinxhir në dorë, një video tma sjellin mua që i kam nxjerrë policit kapsollë”, thotë militanti i PD-së duke ju drejtuar Bardh Spahisë.
g.kosovari