Duke komentuar grabitjen e fundit në aeroportin ‘Nënë Tereza’, gazetari investigativ Artan Hoxha tha se në vendin ku policia shkëmbeu zjarr me autorët janë gjetur gjurmë gjaku edhe të një shtetasi tjetër, përveç Admir Muratajt që mbeti i vrarë.
Deklarata erdhi në studion e emisionit ‘Java në RTSH’ ndërsa Hoxha shtoi se një tjetër grabitës ka mbetur i plagosur ndërsa Prokuroria ka sekuestruar armatimin e përdorur.
Ai tha tregoi se FNSH-ja e pa gjithë skenën e grabitjes por nuk u lejua nga kompania e sigurisë të ndërhynte.
“Punonjës të FNSH-së kanë parë nga jashtë rrethimit skenën e grabitjes dhe kanë tentuar të ndërhyjnë por nuk janë lejuar të futen brenda pistës nga ICTS-ja. Ndërkohë që brenda në pistë ishte edhe një furgon tjetër me policë, të cilët prisnin dy persona që po ekstradoheshin” – tha Hoxha.
Për të komentuar grabitjen e 9 Prillit, të ftuar në studio ishin edhe Prof. Dr. Adrian Civici dhe zv.ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Zyrtari i MPB tha në studion e “Java në RTSH” se Komisariati i Rinasit i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur koncesionarit zbatimin e masave të sigurisë.
“Në letërkëmbimin mes policisë dhe koncesionarit vihet re se ka një arrogancë nga ky i fundit. Shkeljet në planin e masave të sigurisë janë konstatuar, por është abuzuar me kontratën. Referuar marrëveshjes dhe ligjit, fatkeqësisht policia nuk mund të implementonte masa shtesë duke shkelur kontratën” – tha zv.ministri.
Ai tha se korrespondenca mes policisë dhe koncesionarit do të jenë pjesë e hetimit.
“Policia ka pasur një reagim në kohë rekord pasi ishte prania e FNSH dhe oficerë të policisë kufitare që iu bashkuan. Gjithashtu u sinjalizua edhe Policia e Durrësit dhe e Tiranës.” – tha Lamallari duke sjellë detaje nga operacioni.
Për ekspertin e ekonomisë, Adrian Civici, në sistemin tonë bankar janë rreth 3 miliardë euro para ‘të fjetura’. Profesori i njohur sqaroi edhe arsyet e largimit të parave nga vendi.
“Për të rritur efiçencën, është normale që bankat të investojnë para jashtë vendit. Por në rastin tonë, për transferimin e shumave monetare përdoren standarde joefikase të sigurisë. Arsyet e dështimit sot duhen kërkuar edhe në mungesën e kulturës dhe njohurive për ta trajtuar një koncesionar” – tha Prof. Dr. Adrian Civici në studion e emisionit ‘Java në RTSH’.
Ai tregoi edhe detaje sesi duhet të funksionojë transferimi i parave përmes aeroportit.
“Çdo thes me para duhet të ketë një GPS elektronik të montuar. Gjithashtu duhet të ketë një lloj bojë që nëse hapen me forcë boja i dëmton paratë dhe bëhen të papërdorshme. Edhe në vjedhjet e mëparshme rezulton se jo vetëm që nuk janë zbatuar këto masa, por edhe furgonët e transportit kanë qenë jashtë standardeve” – shtoi ai.
Civici u ndal edhe te menaxhimi i koncesioneve.
“Një koncesion kur jepet duhet të ketë të gjitha standardet e sigurisë. Një aeroport ndërkombëtar ka një libër të tërë me detaje. Është e pakuptueshme që policia i ka dërguar shkresë kompanisë por ajo nuk e ka zbatuar. Duhet parë në origjinë sesi duhet një kontratë koncesioni për një aeroport ndërkombëtar. Në rastin e një kontrate nuk kalohet me një fjali përgjegjësia e sigurisë. Por ka edhe 100 faqe nga mbrapa të detajuara. Nëse kontrata nuk është bërë në këtë mënyrë, koncesionari mund të thotë se unë kam mënyrën time sesi e kuptoj përgjegjësinë” – tha eksperti i njohur, Adrian Civici.
Analisti Preç Zogaj tha se sot interesi publik është për të ditur detaje rreth operacionit të policisë në vijim, por edhe për të kuptuar se përse nuk janë marrë masa pas këtyre ngjarjeve të përsëritura.
“Duket sikur politika, publiku dhe institucionet do të vijojnë ligjëratën mbi ngjarjen do do të mbetet me kaq. Mund të ndodhë që pas disa kohësh kur të jetë harruar, grabitësit do të planifikojnë goditjen e radhës” – tha Zogaj i cili shtroi pikëpyetjen nëse këtë herë do të ketë një zgjidhje përfundimtare çështja e sigurisë së aeroportit.
Ndërkohë, analisti Lorenc Vangjeli u shpreh se institucionet veprojnë sipas faktit të kryer dhe jo përmes parashikimit për t’i ndaluar ato.
“Kësaj here fakti i kryer kishte pamjen e atyre që ikën në drejtim të paditur dhe maskën e silikonit në fytyrë e plumbin në kok “ – tha ndër të tjera Vangjeli në editorialin e tij.