Gjashtë shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë belge për kultivim të bimëve narkotike.
Shtetasit e moshës 21 deri 43 vjeç kishin marrë me qira një banesë në bashkinë e vogël të Lintit në provincën e Antverpit.
Përpara saj ata mbanin në radhë një sërë makinash për të dhënë idenë se grupi i organizuar merrej me riparimin e automjeteve, pasi shumica prej tyre lëviznin gjatë orëve të mbrëmjes.
Banorët vendas treguan për policinë se kur kalonin në afërsi të banesës së shtetasve shqiptarë vinte një erë e fortë marijuhane.
Pas marrjes së denoncimeve, policia lokale ndërmori një operacion i cili rezultoi në kapjen e pesë shqiptarëve, të cilët në momentin e arrestimit ishin duke punuar në plantacionin e sajuar të bimëve narkotike.
Një tjetër i dyshuar u arrestua pak orë më pas.
Në banesën e tyre, policia gjeti të paktën 4.200 rrënjë kanabisi dhe aparatura profesionale për rritjen e bimëve narkotike.
Operacioni pasoi inkursionin e befasishëm treditor të javës së kaluar që u mbajt në Belgjikë, Francë dhe Holandë.
Mbi 60 persona ranë në pranga, dhe objektivi po ashtu ishin bandat kriminale me origjinë shqiptare që merreshin me trafikimin e drogërave dhe qenieve njerëzore, prostitucion, falsifikim dhe pastrim parash.
g.kosovari