Këngëtari solist i Rolling Stones, Mik Jager njoftoi në Twitter se ai ishte operuar dhe ndihej “shumë më mirë”, duke inkurajuar tifozët e Stons që ishin shqetësuar për shkak se mediat raportuan për një operacion të vështirë në zemër.
“Faleminderit të gjithëve për mesazhet mbështetëse, tani ndihem shumë më mirë dhe jam duke u shëruar. I faleminderit shumë personelit të spitalit për një punë të shkëlqyeshme”, shkroi 75-vjeçari Jagger në një mesazh në Twitter.
Përfaqësuesi i Jager tha se trajtimi i tij u krye me sukses, por ai nuk dha detaje për atë që ishte bërë. Ai tha se Jagger “ndihet shumë mirë dhe pritet të shërohet krejtësisht”.
Sipas njoftimeve të mediave, Jagger ishte operuar në Nju Jork, por zyrtarisht nuk u konfirmua as nga ai as nga ekipi i vet.
Nuk dihet saktësisht se çfarë nderhyrje është, por New York Post shkruan se flitet për një stent. Kurse një portal pohon se valvula e zemrës së tij do të zëvendësohet.
Rolling Stones njoftoi të shtunën se ata shtynë turneun e SHBA të planifikuar midis 20 prill dhe 29 qershor, duke përmendur gjendjen mjekësore të Mike Jager.
Vetë këngëtari, më parë, i kërkoi falje tifozëve të tij në një mesazh nëpërmjet Instagram, duke thënë se ai ishte shumë i zhgënjyer, por ka ndërmend të kthehet në skenë sa më parë.
Grupi i themeluar në vitin 1962 është ende aktiv. Ata kanë më shumë se 30 albume në studio, 23 albume nga këngët në turne dhe 25 kompilime.