Gjykata e Tiranës la në masën e sigurisë “Arrest në burg” dy të rinjtë që ngacmuan seksualisht shtetasen amerikane në fshatin “Hekal” të Petrelës.
Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa dy të rinjtë janë shprehur të penduar në dëshminë e tyre ndërsa në gjykatë nuk folën. Ndërkohë që, prokurori kërkoi burg pa afat për të rinjtë, avokati Enea Cengo, kërkoi një masë më të butë sigurie, për arsye të pandesës dhe kushteve sociale në të cilat ata ndodhen.
Sipas avokat Cengos, të rinjtë kanë vepruar edhe në kushtet e ndikimit të pijeve alkoolike. Ndërkohë, Gesjan Gjoshi është shprehur se ndjehet shumë i penduar dhe ka treguar se në momentin që shoku i tij ka ngacmuar shtetasen amerikane, i ka thënë të largohen, por ai se ka dëgjuar. Edhe Artur Hyka, ka pranuar ngjarjen dhe është shprehur i penduar. Por, gjykata pasi dëgjoi të dyja palët, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke i lënë në burg pa afat, ndërsa avokati Enea Cengo, u shpreh se do të apelonte vendimin.
Sipas prokurorisë, dy të rinjtë kanë qenë me motor dhe i kanë prerë rrugën, dy shtetaseve amerikane, të cilat kanë qenë të detyruara të ndalonin. Pasi kanë ndaluar një prej të arrestuarve, ka kryer veprime të turpshme ndaj njërës prej tyre, ndërsa ajo ka reaguar duke larguar dhe më pas marrë në telefon policinë. Pas arrestimit, dy të rinjtë kanë pranuar ngjarjen dhe kanë treguar rrethanat, duke pretenduar se ishin nën efektin e pijeve alkoolike dhe se janë penduar.
g.kosovari