Tetë skuadrat çerekfinaliste të këtij edicioni në Champions League kanë përfituar plot 3.5 miliardë euro në sezonin paraardhës 2017-2018. Kjo është ajo që theksohet në raportin e përpiluar nga “Sport Business Group” të “Deloitte”. Këtë vit, në çerekfinale janë 4 skuadra britanike, gjë që ndodh për herë të parë që nga sezoni 2008-2009. Manchester United, Tottenham, Liverpool dhe Manchester City kanë siguruar 63% të të ardhurave të UEFA-s, ose thënë ndryshe 2.2 mld euro.
Sa i përket shpërndarjes sipas çifteve të përcaktuara, Barcelona dhe Manchester United, që do të luajnë të mërkurën, kanë vendosur një rekord duke e bërë këtë sfidë si më të pasurën në këtë kompeticion, teksa të dyja së bashku kanë siguruar 1.4 miliardë euro.
Nuk është shumë larg shifra e përfituar nga Tottenhami dhe Manchester City, që kanë regjistruar të ardhura prej rreth një miliard eurosh.
Sipas “Deloitte”, shifra minimale e përfituar nga skuadrat e kualifikuara në çerekfinalet e Champions League është 60 milionë euro, e skuadra që do të fitojë trofeun mund ta çojë këtë shifër në 100 milionë euro. Theksojmë se këtu bëhet fjalë vetëm për bonuset e akorduara nga UEFA.
/a.meta