Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, thotë se Serbia e respekton integritetin territorial e të gjithë vendeve të Ballkanit, dhe se nuk ka pretendime territoriale kundër asnjë vendi.
Ai thotë që pret edhe nga të gjithë vendet e tjera të veprojnë njëjtë.
“Nëse më pyesni se çfarë mendon Serbia për ndryshimin e kufijve në Ballkan, ne mendojmë se është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë integritetin territorial të Serbisë, dhe Serbia respekton integritetin territorial e të gjithë të tjerëve. Kështu ishte, dhe shpresoj që të mbetet kështu”, ka thënë Vuçiq, shkruan tanjug, transmeton Gazeta Express.
Këto deklarata ai i ka bërë kur është pyetur nga gazetarët, nëse përkrahë idetë e Millorad Dodokut, për të defunksioanlizuar Bosnjën e Hercegovinën, përmes ‘Republika Srpskas’.
Sa u përket zërave në Bosnjë që e fajësojnë Serbinë për një gjë të tillë, Vuçiq thotë se ata përçojnë një mesazh të keq, dhe se “ askush nuk duhet të cenojë integritetin territorial të tjetrit në asnjë formë”.
Kreu i shtetit serb ka thënë se Serbia nuk ka pretendime të tilla ndaj asnjë shteti në rajon, megjithatë ai nuk e ka përmendur në mesin e këtyre shteteve, Republikën e Kosovës.
“Serbia nuk ka qëllime të tilla ndaj Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, e Maqedonisë”, ka thënë ai, shkruan tanjug, trasnmeton Gazeta Express.
Aleksandër Vuçiq është një nga ideatorët e idesë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si formë për të arritur marrëveshjen finale ndërmjet dy shteteve.
Një ide e tillë ka marrë një “JO” nga e gjithë klasa politike kosovare, përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili ka hyrë në vallen e lojës me kufijtë që nga nëntori i 2018-ës, konkretisht që nga mbajtja e Forumit të Alpbachut në Austri, ku edhe u ngjiz një ide e tillë.
Forumi i Alpbachut ishte mbajtur nën patronatin e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, i cili është i vetmi politikan në Evropë i cili e mbështet hapur idenë për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
g.kosovari