Beto O’Rourke, kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, është shprehur në lidhje me zgjedhjet në Izrael, duke e përshkruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun, si racist dhe pengesë për paqe në Lindjen e Mesme.
“Marrëdhënia SHBA-Izrael është një nga marrëdhëniet më të rëndësishme që kemi”, tha O’Rourke në një aktivitet zgjedhor që u mbajt në Universitetin e Iowas. “Kjo marrëdhënie, nëse do të jetë e suksesshme, duhet ta tejkalojë aleancën e verbër në SHBA dhe duhet të jetë në gjendje ta tejkalojë një kryeministër që është racist”, tha ai.
Netanyahu shpreson ta fitojë mandatin e pestë në zgjedhjet e së martës. Ai tenton të formojë një koalicion me përkrahjen e grupeve ultranacionaliste, përfshirë “Forcën Hebraike”, anëtarët e së cilës kanë bërë thirrje për dëbimin e arabëve.
O’Rourke, një ish-kongresmen nga Teksasi, e fajësoi Netanyahun për mbështetje të një partie të djathtë raciste në mënyrë që ta mbajë pushtetin e tij. Ai tha se lideri izraelit kishte shuar çdo përpjekje për paqe, duke bërë zotimin në çastet e fundit për zgjedhje këtë fundjavë për t’i aneksuar vendbanimet hebraike në territoret palestineze.
Netanyahu tha këtë fundjavë se ai do ta parandalojë krijimin e një shteti palestinez në territorin e okupuar të Bregut Perëndimor, shkruan “The Guardian”.
Komentet e O’Rourkes pasqyrojnë një krizë brenda partisë demokratike mbi kritikat për veprimet e shtetit të Izraelit. Një grup i ligjvënësve të rinj përparimtarë kanë qenë haptazi kritikues të qeverisë së Izraelit, që një kthesë nga tradita e përkrahjes pa kusht nga dy krahët e politikës amerikane.
Donald Trump, i cili është shprehur përkrahës për Netanyahun gjatë fushatës zgjedhore, është përpjekur ta bëjë Izraelin një çështje që meriton përkrahje.
Ai shpreson të lë përshtypje te votuesit hebrenj në SHBA, të cilët tradicionalisht i kanë përkrahur demokratët, duke i bërë rivalët e tij politikë të duken si kundërshtarë të Izraelit.
g.kosovari