Banka e Shqipërisë ka lidhur marrëveshje me Bankën për Rregullime Ndërkombëtare (BIS) për hapjen e një linje kredie në Euro. Marrëveshja do t’i shërbejë mbulimit të nevojave të mundshme për likuiditet në valutë, në shuma të mëdha. Për huamarrjen, Banka e Shqipërisë do të përdorë si kolateral tituj investimi nga portofoli i rezervës valutore. Sipas Bankës Qendrore, marrëveshja përbën një mekanizëm të rëndësishëm për të vepruar në situata krize dhe krijon me shumë fleksibilitet në administrimin e rezervës valutore, në kushtet kur pjesa kryesore e saj në monedhën Euro investohet me normë negative interesi.
Në pesë vitet e fundit, Banka e Shqipërisë e ka rritur me 70% rezervën valutore, duke e çuar atë në rreth 3.4 miliardë euro. Strategjia për të rritur rezervën valutore lidhet kryesisht me shkallën e lartë të euroizimit dhe nevojën për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme emergjente që mund të ketë ekonomia për monedhën europiane. Por, nga ana tjetër, rritja e rezervës valutore ka shtuar sfidat për një investim eficient të saj, në kushtet kur politikat monetare lehtësuese prej vitesh i kanë çuar normat e interesit të euros në territor negativ.
Kjo e vështirëson sigurimin e fitimeve nga investimi i rezervës valutore. Gjithnjë duke ruajtur një profil të kujdesshëm rreziku, Banka e Shqipërisë ka pasuruar gamën e instrumenteve ku kjo rezervë investohet, si, për shembull, obligacione të mbuluara me kolateral financiar. Gjithashtu, Banka Qendrore ka hedhur hapa për lidhjen e një marrëveshjeje për klerimin dhe tregtimin e kontratave të së ardhmes (futures), me asistencën e Bankës Botërore. Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument do të minimizojë kostot në investim dhe do të krijojë më shumë oportunitete për rritjen e të ardhurave nga administrimi i rezervës valutore. SCAN