Nga Fatmir Merkoçi
Fund viti i ‘90 solli revolta të shumta, dhe veçanërisht pas revoltës studentore u bë e mundur krijimi i Partisë Demokratike. Kjo shënoi dhe fillimin e pluralizmit në Shqipëri. Megjithatë, sistemi diktatorial ende qëndronte në këmbë stoik pasi jetëgjatësia e tij kishte mbjellë frikën e pushtetit tek shqiptarët. Ishte viti 1991, vit i revoltave popullore i cili solli përmbysjen e madhe. Si të diktaturës, ashtu dhe të Qeverisë së fundit komuniste,duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Populli e kreu misionin e tij. Me kristalizimin e pluralizmit, Shqipëria u quajt vend demokratik edhe pse u deshën plot tetë vjet për të miratuar Kushtetutën. Përsëri Shqipëria, u quajt Republikë Parlamentare. Shqiptarët nuk kishin mundësi zgjedhjeje përveç asaj që ofroi politika. Kjo tregoi se pjesa e shkolluar nuk ishte e denjë të paraqiste variant tjetër. Si në atë kohë, dhe në vazhdimësi, e kam kundërshtuar me forcë këtë situatë. Fatkeqësisht zërat mbështetës kanë qenë të vakta dhe publikisht asnjë nuk guxoi të përkrahte zërin kundër. Kjo tregoi se rruga e ndarjes nga ai sistem ishte e vështirë, sidomos për ata që kishin në dorë të ndryshonin gjithçka. Ndryshimet kushtetuese të bëra gjatë 10 viteve, e sidomos ato të bëra së fundmi ( u ndryshuan plot 57 nene) si pasojë sollën një amulli të vetë sistemit. Degradimi i sistemit erdhi si pasojë e nisjes së një reforme në drejtësi pa bazë ligjore.Them pa bazë ligjore pasi, reforma duhet të mbështetej në Kushtetutë. Si pasojë, nga pikëpamja e jurisprudencës një akt i paligjshme nuk mund të sjellë legjitimitet tek ajo që prodhon. Kjo u vërtetua. U vërtetua pasi doli domosdoshmëria e amendimit të Kushtetutës. Pra, thënë me fjalë popullore “ndërtojmë shtëpinë, pastaj themelin”. Sistemi doli jashtë funksionit dukshëm kur ndryshimet kushtetuese u miratuan frikshëm nga të 140 deputetetët e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo tregoi haptazi se në atë Kuvend, jo vetëm që kishte mjeranë por edhe servilë të cilët vetëm politikanë dhe ekspertë nuk ishin. Dinjiteti i tyre ishte thjesht partia apo punësimi si deputet, i cili ju sillte veç privilegje personale. Nëse i kthehemi vetë sistemit, është fakt se që në krijimin e shtetit, ne ju përmbajtëm parlamentit si institucioni më i lartë në vend edhe pse zhvillimi shoqëror i vendit tonë ishte mjaft i prapambetur në krahasim me vendet e tjera evropiane (pasi në çdo lëvizje, kopim, krahasim, ne i referohemi ose Amerikës ose Evropës). Duke qenë i tillë, Kuvendi në historikun e tij ka qenë i përbërë kryesisht mbi baza krushqish, lidhjeve familjare, tarafeve, lidhjeve të interesit, dhe rrallë herë mandatin e kanë pasur njerëz të cilët e kanë merituar për vlera e virtyte e tyre personale. Shpesh politika u kthye dhe në trashëgimi familjare. Gjithashtu nga sistemi parlamentar kemi dhe prodhimin e Mbretit apo Diktatorit, ndërsa sot e 28 vjet kemi si “dhuratë” krijimin e një njeriu të fortë si p.sh.: Presidentin apo Kryeministrin në varësi nga pozicioni dhe momenti i kohës që mbante postin. Ndërkohë që në kohën e Republikës Socialiste, Kushtetuta ishte thjeshtë baza ideologjike e partisë dhe vetë diktatorit, sot në sistemin demokratik ky Kuvend i cili miratoi këtë Kushtetutë bëri të mundur zhveshjen e Presidentit nga shumë kompetenca, për rrjedhojë prodhoi një Kryeministër të fortë. Gati-gati një Kryeministër “Mbret” ose “Diktator”. Në të dyja rastet me gjithë se jemi Republikë Parlamentare, roli i individit është i pa kushtëzuar nga askush, madje as nga vetë Kuvendi. Ky i fundit si institucioni më i lartë i shtetit i cili në vetë sistemin e përbërjes së tij tashmë tregon se është vasal i Kryeministrit. Kjo fatkeqësisht tashmë është e shprehur në Kushtetutë pikërisht në nenin 104 të saj ku shprehimisht thuhet:
Neni 104
- Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
- Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.
- Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.
Referuar nenit të sipërcituar kuptojmë forcën e Kryeministrit. Vetëm ai mund të përcaktojë nëse do apo jo zgjedhje të parakohshme. Pavarësisht se gjendja ekonomiko-politike mundtë jetë në greminë, pavarësisht se ligjet shkelen me dy këmbë, pavarësisht dhe lajthitjes së vetë Kryeministrit, ai dhe vetëm ai, përcakton kohën se kur zhvillohen zgjedhjet. Kjo është diktaturë e pastër. Pikërisht prandaj dhe Rama deklaron se zgjedhjet i bëjmë ne e jo opozita. Për ta parë më në detaj le të shohim dhe nenin e mëposhtëm se çfarë thotë Kushtetuta në këtë pjesë:
Neni 105
- Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.
- Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.
Nga leximi i këtij neni kuptojmë se opozita ka të drejtën e mocionit, por në rastin aktual kur maxhoranca ka shumicën e vetme, si mundet ta shkarkojë Ramën Kryeministër?! Nëse do kishim një Kuvend me njerëz që do kishin ndërgjegje kombëtare e patriotizëm real, do ishte i mundur zbatimi i këtij neni. Në rastin e kundërt edhe nëse e voton, Kushtetuta thotë se duhen më shumë se gjysma e votave ( pra 70+1) e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Sot Kuvendi nuk e ka numrin e plotë të anëtarëve (140) të tij. Në këto kushte, Kuvendi jo vetëm është jashtë legjitimitetit të tij, por dhe nuk mundet të marrë vendim për shkarkimin e Ramës Kryeministër.
Ky kaos konstitucional, nuk sjell vetëm amulli por dhe mos funksionimin e vetë shtetit. Kërkon doemos një ndërhyrje të një pale të tretë, i cili është vetëm Presidenti. Në rastin më të mire Presidenti duhet të bëjë dakordësinë e palëve në tavolinë. Kjo dakordsi duhet të jetë jo vetëm kushtetuese për të zgjidhur krizën, por dhe si një domosdoshmëri për të mos e shpënë vendin në kaos edhe më të thellë.
Pa dyshim që zgjidhen e japin vetëm zgjedhjet e parakohshme, të cilat duan një kohë të caktuar. Kohë dhe kushte të caktuara. Qeveria Kalimtare është një nga kushtet e cila duhet të përgatisë dhe zhvillojë zgjedhjet. Kuvendi nuk mundet të marrë asnjë iniciativë ligjvënëse, ndërkohë që si kusht për pozitën dhe opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës. Ky ndryshim lipset të jetë jo vetëm si Kushtetutë por dhe si formë qeverisjeje. Pra duhet të jetë populli i cili duhet të vendosë formën e qeverisjes, formën e sistemit.
E kam kërkuar shumë kohë më pare faktin që sovrani të marrë në dorë pushtetin që ka, pushtet në emër të të cilit flasin individë e kryesisht politikanë që vetëm sovranin nuk përfaqësojnë. Kur kam deklaruar se ky sistem ka rënë, se ky sistem pjell veç diktatura sot del detyrë e menjëherëshme bërja e Kushtetutës. Them bërja e Kushtetutës dhe jo arrnimi i saj sikundër kemi bërë këto vite “demokraci”. Them bërja e një Kushtetute nga shqiptarët dhe për shqiptarët duke zgjedhur edhe vetë sistemin e qeverisjes. Për Kushtetutën kam shkruar mjaft herë. Ndoshta u desh kjo gjendje dhe ky kolaps institucional që kjo temë të marrë vlera të tjera. Rama, Kryeministër, sot ka të gjitha institucionet në dorë. Ka një Kuvend të kontrolluar prej tij. Pikërisht kjo i ka dhënë forcën e diktatorit. Sot, për këtë gjendje, pa dyshim që ka faj dhe opozita për vetë faktin se ishte ajo që ngriti kartonin dhe votoi ” qorrazi” këtë Kushtetutë. Ashtu siç kam deklaruar në atë kohë përgjegjësia e opozitës ishte se me dorën e saj i dha kompetenca absolute vetë Ramës Kryeministër. Dhe jo vetëm kaq!