Tirana rrezikon rënien! Nuk është një frazë utopike, por një realiteti i hidhur që po përjetohet në kampin bardheblu. Në vitin 2019, kryeqytetasit ishin një nga skuadrat me ritmin më të mirë në Superiore, por mjaftoi rrëshqitja e këmbës në një moment dhe bardheblutë kanë 4 ndeshje pa fitore, me dy humbje dhe dy barazime. Kjo ka bërë që 24 herë kampionët e vendit të parakalohen nga Luftëtari dhe të jenë vetëm 3 pikë larg Kastriotit.
Javët e ardhshme janë shumë të vështira për skuadrën e Tiranës, kalendari i rezervon sfida ferri! Të pakten, ekipi i Ardian Memës merr frymë në javën e 28 pasi kalendari i kishte rezervuar Kamzën dhe në kushte të tilla ka kohë për të rifituar qetësinë dhe të marrë 3 pikë që mund t’i japin hov duke parë përplasjen direkte të Kastriotit dhe Luftëtarit në Fushë-Krujë.
Pas javës së 28, Tirana duhet t’i bëjë mirë llogaritë, pasi nisin disa ndeshje mjaft të vështira për ta. Tirana do të zbresë në fushë ndaj Kukësit në një ndeshje mjaft të ashpër, pasi verilindorët nuk duan të heqin dorë nga titulli kampion dhe nuk mund të hapin rrugë. Më pas, ekipi i Memës shkon në Gjirokastër për finalen reale ndaj Luftëtarit. Aty do të ndahet shqapi nga sheqeri. Pas qytetit të gurtë luhet takimi ndaj Skënderbeut, ekipi korçar mbetet kampion në fuqi, ndërsa direkt më tej sfida ndaj Partizanit. Derbi nuk falet, fitohet! Pas “demave” do të jetë radha e Kastriotit, por bardheblutë shpresojnë që të mos shkojnë deri në atë pikë sa të zgjidhin gjithçka në takimin ndaj krutanëve.
Kalendari i Tiranës
Tirana – Kukësi
Luftëtari – Tirana
Tirana – Skënderbeu
Partizani – Tirana
Tirana – Kastrioti
Në klubin bardheblu është krijuar ideja se po sulmohen nga të gjithë, prandaj dhe tifo-grupi “Tirona Fanatcis” ka reaguar me anë të një statusi ku sulmon të gjithë aktorët që duan të rrëzojnë 24 herë kampionët e vendit sipas tyre. “Tirana është më e madhe se të gjithë ju bashkë. Asgjë nuk ka mbaruar. Tirana mund të jetë pa president, por nuk është mall pa Zot”. Situata duket tepër e ashpër në kampin kryeqytetas.