Nënkryetari i PD Edmond Spaho në një deklaratë për mediat tha se kupola qeveritare është përfshirë në aferë mafioze.
Spaho deklaroi se përgjimet e fundit të publikuar në media tregojnë përfshirjen mafioze të qeverisë së vendit. Ai tha se Rilindja dhe Edi Rama janë përfshirë në afera kriminale dhe se kryeministri i vendit nuk ka marrë guximin as të distancohet nga lidhjet qeveritare me krimin.
“Gjatë gjithë kësaj jave qytetarët shqiptarë dhe opinioni ndërkombëtar kanë parë dhe dëgjuar përgjimet zyrtare nga Prokuroria, që provojnë skandalin mafioz të fabrikimit shtetëror të një dëshmitari të rremë kundër opozitës dhe medias në çështjen “Xhafaj”. Qytetarët kanë dëgjuar sesi drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë paguar para në dorë aktorit të qeverisë, Fredi Alizoti, i dënuar më parë për trafik droge, në mënyrë që të gënjente se ishte ai dhe jo Agron Xhafaj që koordinonte trafikun e drogës nga Vlora. Përgjimet zyrtare të Prokurorisë tregojnë se ky skenar kriminal është vënë në zbatim nga një bashkëpunim mes drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, kupolës politike të Rilindjes dhe qeverisë, me përfshirje direkte të Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.” u shpreh Spaho.
Edmond Spaho theksoi se Prokuroria nuk ka vepruar për rastet e fundit mafioze, por është bërë palë me Edi Ramën dhe krimin e organizuar.
“Prokuroria shqiptare jo vetëm është bërë pjesë e skemës së manipulimit, por vazhdon të heshtë edhe pas zbulimit të fakteve zyrtare që provojnë këtë skemë. Më së paku, Prokuroria duhet t’i kishte vënë prangat për dëshmi të rreme, Drejtorit të sapoemëruar të Fierit, Andon Marko, i cili ka deklaruar se e ka takuar vetëm një herë aktorin e qeverisë, në një kohë kur përgjimet faktojnë të kundërtën.” deklaroi Spaho.
g.kosovari