Partia Demokratike është jashtë parlamentit dhe në protestë. Por e ardhmja e saj nuk dihet ende. Për të folur mbi vendimin e djegies së mandateve dhe politikën në rrugë, të ftuar në emisionin “Java në RTSH” ishin Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli.
Dy eksponentët e PD komentuan të premten sjelljen e opozitës dhe rolin e ndërkombëtarëve në panelin me analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli.
Për Kadillin, ajo që po ndodh është kthim i Partisë Demokratike ne identitet dhe në misionin e saj fillestar.
“Partia Demokratike po kthehet në misionin e saj, te demokracia dhe liria. Fatkeqësisht sot ne kemi përballë një mazhorancë që nuk reflekton. Edhe PPSH në vitin 1991, apo PD në vitin 1997 patëm një reflektim serioz. Këtë nuk e gjejmë te qeveria e sotme” – tha Kadilli duke shtuar se ka një defiçencë sa i përket ndërhyrjes europian në krizën e sotme.
Ai u shpreh se opozita e bashkuar është e vendosur për një qeveri tranzitore që jo vetëm do të organizojë zgjedhjet, por do t’i japë fund edhe tranzicionit.
Në ndërhyrjen e tij, analisti Preç Zogaj u shpreh se ka një rritje të mbështetjes popullore ndaj opozitës, por jo të mbështetjes ndërkombëtare.
“Amerikanët janë paralajmëruar të rezervohen sa i takon kërkimit të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse edhe nga deklarata e përsëritur e kryetarit të PD-së Basha që ka thënë se nuk do të përsërisë gabimin e vitit 2017 kur pranoi zgjidhjen e ofruar nga parardhësi i zotit Palmer. Ja pse në këtë fazë të krizës sonë vizita e Palmer mund të sjellë nuanca, por nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të qëndrimeve. Por ajo është e rëndësishme sepse na mban në vemendjen dhe përkushtimin e partnerit strategjik. Pritshmëria e publikut është e madhe. Përvoja ka treguar se amerikanët kanë qënë gjithnnjë më lartësinë e kësaj pritshmëria, madje edhe përtej saj kur e ka dashur interesi ynë kombëtar. Dhe kjo do të vazhdojë” – tha Zogaj në editorialin e tij.
Ndërkohë që për Enno Bozdon, djegia e mandateve e kapi në befasi faktorin ndërkombëtar. Ai tha se vendimi i opozitës për të braktisur Parlamentin i ka rrënjët që në zgjedhjet e vitit 2017.
“Rezultati i zgjedhjeve të fundit u manipulua në tërësi. Që nga nisja e fushatës, te procesi i votimit dhe tek numërimi. Zgjedhjet janë të programuara çdo katër vite për të shfryrë tensione sociale. Por ato të vitit 2017 e majisën situatën në mënyrë që të përshkallëzohet siç e konstatojmë sot. Ky është një sakrifikim përfundimtar për t’i rënë këmbanës së alarmit për gjërat që nuk shkojnë në këtë shoqëri” – tha Bozdo.
Ndërsa analisti Lorenc Vangjeli solli në vëmendje se, Komisioni për Reformën Zgjedhore gjatë kësaj legjislature nuk është mbledhur pothuajse asnjëherë.
“Kjo tregon se asnjëra nga palët nuk ka qenë e interesuar për ndryshimin e kësaj status-quo” – tha ai.
Duke komentuar kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore, Vangjeli tha:
“Kujtojmë se edhe dy vite më përpara kishim një qeveri tranzitore. Partia Demokratike kishte më shumë se gjysmën e përfaqësimit në qeveri, ministritë më të rëndësishme dhe drejtoritë më të mëdha. Megjithatë rezultati i zgjedhjeve 2017 është ai që ne dimë tashmë” – shtoi Lorenc Vangjeli.