Emisioni “JAVA në RTSH” solli mbrëmjen e së premtes një analizë mbi situatën e rendit publik në Shkodër, por edhe materiale ekskluzive.
Referuar vrasjes së dy vëllezërve, Astrit dhe Brahim Bilali, gazetari Artan Hoxha solli për herë të parë një material video, ku njëri prej viktimave duket se e paralajëmron vdekjen e tij. Bëhet fjalë për Astrit Bilalin, i cili ka filmuar vetë një komunikim me dëshmitarin e vrasjes së 14 Nëntorit 2018.
“Në video është zëri i Astrit Bilalit që flet me një dëshmitar i cili ka parë motorin dhe vrasësit e atentatit të 14 nëntorit 2018 në Shkodër. Bëhet fjalë për vrasjen e Fatos Ferracakut 41 vjeç dhe plagosjen e Fatmir Mehajt 49 vjeç. Autorët ishin dy persona me motor dhe të maskuar me skafandër. Video është realizuar nga vet Astrit Bilali, i vrarë më 30 mars 2019” – tha gazetari investigativ Artan Hoxha teksa shtoi se Bilali ka komunikuar disa herë me të në lidhje me vrasjet në Shkodër.
Ndërkohë që për analistin Lorenc Vangjeli, beteja për rendin publik dhe sigurinë në vend është një akt që nuk mund të kryhet vetëm nga policia apo dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
“Krimi nuk është kronikë e zezë, është politikë. Ndarja me të dhe ndëshkimi i tij nuk bëhet me kallashnikovët e policisë, por kërkon një përgjigje politike. Kërkon një vullnet në 360 gradë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve publikë në vend dhe një përgjigje proporcionale dhe me të gjitha mjetet në dispozicion ndaj potencialit gjithmonë e më në rritje të këtij lloj krimi, që e ka nisur rrugën nga pozitat e shërbëtorit dhe tani po sillet si zot”- shtoi Vangjeli.
Emisioni ‘Java në RTSH’ përcolli edhe mesazhet e klerikëve të Shkodrës, imzot Angelo Massafra, imam Muhamet Sytari dhe At Nikolla Petani. Tre klerikët u shprehen se është e pafalshme për shqiptarët të jetojnë në këtë situatë dhe se vetëm përmes bashkimit e keqja mund të zhduket.
Mbi këto komente, analisti Preç Zogaj theksoi se pa komunitetet fetare, e keqja do të ishte më e madhe.
“Klerikët përcjellin rëndësinë e paqes dhe vlerën që ka vetë jeta e njeriut. Unë besoj se mesazhet e tyre do të reflektohen në të gjithë shoqërinë.