Sabaili është një djalë 31-vjeçar nga Durrësi, të cilin jeta e ka sprovuar shumë, por ka ditur si t’ia dalë.
Sot dritare.net do ju tregojë historinë e tij, sesi është të rritesh pa prindër.
Si ishte për të, të rritej në jetimore, paragjykimet dhe vështirësitë që ka hasur. Kush ishin ditët e tij më të errëta, dhe se çfarë e ka motivuar të ecë përpara.
Sabail Gjyli është lindur në maternitetin e Durrësit. Prindërit e tij, për shkak të pamundësive për ta rritur, e kanë braktisur që në lindje.
Njësoj kanë vepruar dhe me vëllain e tij të madh, ashtu dhe me atë që lindi dy vjet pas Sabailit.
Për të, të rritej në një jetimore, ishte e vështirë. Vështirësi jo në aspektin e një jetese me kushte të mira, apo mbështetje, pasi atë e kishte nga shokët, mësuesit e kujdestarët. Ajo që i mungonte çdo sekondë Sabailit ishte dashuri për prindërit. Një përqafim i nënës!
Kur Sabaili mbushi moshën 15-vjeçare, duhej të largohej nga jetimorja. Ai ishte ende i mitur, dhe frikën sesi do ia dilte mbanë, e kishte gjithmonë me vete.
Sidoqoftë, ai u regjistrua në shkollën e mesme teknologjike, Hysen Çela, në Durrës, po ashtu dhe në konvikt.
Atje hasi vështirësi, ku nga një jetë kolektive me dashuri dhe mbështetje, duhej të përshtatej me një realitet tjetër. Një realitet ku i forti gjithmonë godet më pak të fortin, në pikën e tij më të dobët.
Një nga momentet më të vështira, përveç mungesës së dashurisë dhe përkrahjes, ishte periudha e festave. Për festa shkolla dhe konvikti mbyllej. Kjo, e shqetësonte Sabailin pasi ai mbetej pa strehë, për ditë të tëra.
Në vit të parë, në pushimet e fundvitit, kishte shkuar te familja e shokut të tij. Por, një herë e vetme ishte ajo, po herëve të tjera, ku do të shkonte?
Ai nuk qëndroi duke menduar si do bënte, por menjëherë filloi të kërkonte ndihmë, te njerëz të ndryshëm dhe tek institucionet përkatëse.
Pas shumë përpjekjesh ai u strehua vitet në vazhdim, për festa dhe ditë pushimesh, në konviktet e Universitetit të Shkodrës.
Ky nuk ishte problem i vetëm i Sabailit, shumë të tjera iu shfaqën në vazhdim. Një nga ata është edhe problemi që kishte në lidhje me regjistrimin në konvikt, që në fillim të shkollës së mesme.
Duke qenë me statusin e jetimit, nuk pati mbështetjen e shkollës dhe shtetit, ashtu siç duhej të ndodhte. Por e kundërta. Atij iu hoq bursa, pasi institucioni i arsimit i hoqi të drejtën e studimit, duke e ngelur në provime.
Sabaili, që nga ai moment, ngeli pa strehë. I vetëm. Por, shpresën nuk e kishte humbur. Gjithmonë besonte se do ia dilte, do e kapërcente dhe atë sfidë. Dhe ashtu ndodhi.
Ai kontaktoi presidentin e ekipit të Teutës, i cili menjëherë ai iu gjend pranë, për ta ndihmuar. Ai ka bërë punë të ndryshme, si kamarier apo mirëmbajtës parkingu, dhe ndërkohë jetonte aty.
Falë mbështetjes së presidentit të ekipit të Teutës, ai mori provimet dhe kërkoi të drejtën e rikthimit në shkollë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Sabaili kishte ëndërr të vazhdonte shkollën e lartë. Mundësitë ishin të vogla, por ai ia doli të regjistrohej. Vazhdoi studimet për Menaxhim Biznesi, dhe ai që e ndihmoi ishte presidenti i Albanian University, Astrit Velia.
Velia nuk i mbuloi vetëm shkollimin për 3 vite, por edhe strehimin në konvikt.
Pas përfundimit me sukses të shkollës së lartë, Sabaili sërish u gjend para vështirësive. Nuk po gjente dot një punë, pasi tregu për një jetim është i vështirë .
Por ai dinte një gjë, nëse nuk kërkon, nuk do të marrësh. Përmes lidhjeve që kishte me njerëz të ndryshëm që e përkrahnin dhe i jepnin kurajo, ai arriti të kontaktonte kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliajn. Ai e ndihmoi që të punësohej.
Sot Sabaili është i punësuar pranë OSHEE, si operator, para 3 vitesh. Aktualisht ai vazhdon edhe studimet master, pranë Universitetit Mesdhetar.
Njësoj si dhe Sabaili, edhe vëllezërit e tij janë të sistemuar me strehim dhe punësim. Ajo që gjithmonë i ka udhëhequr 3 vëllezërit është besimi, këmbëngulja dhe puna e pandalur.
Shumë shpejt Sabaili do të largohet nga një shoqatë turke, ku momentalisht jeton, dhe do të blejë shtëpinë e tij me kredinë e butë që ka përfituar.
Sabaili, pavarësisht gjithçkaje, gjithmonë e ka ditur që ka dritë në fund të tunelit, që po të kërkosh do të gjesh. Dhe motoja e tij e jetës është “Nuk është faji yt nëse lind jetim, por nëse vdes i tillë”.
g.kosovari