Nga Eduard Zaloshnja
Në qoftë se do të zhvilloheshin zgjedhje parlamentare sot, rreth 700 mijë banorë të rritur të Shqipërisë do të votonin për PS-në dhe rreth 800 mijë për partitë e tjera aktuale. Kështu rezulton nëse ndërthurim rezultatet e një sondazhi italian (IPR Marketing) të paraqitura të mërkurën në Tv Ora News në Tiranë, me rezultatet e një studimi mbi emigracionin të Pew Research Group, sipas të cilit rreth 2.1 milionë shtetas të rritur kanë mbetur në Shqipëri.
Në pamje të parë, rezultati i mësipërm duket mjaft i mirë për opozitën. Por në qoftë se futemi më thellë në sondazhin e sipërcituar, vëmë re disa dobësi të theksuara nën sipërfaqe.
Kështu, duke ekstrapoluar rezultatet e tjera të sondazhit, i bie që vetëm 290 mijë votues kanë opinion pozitiv për Bashën, ndërkohë që 580 mijë janë gati të votojnë sot për PD-në. Vetëm 170 mijë votues kanë opinion pozitiv për Kryemadhin, ndërkohë që 190 mijë janë gati të votojnë sot për LSI-në. (Zakonisht liderët e partive kanë kuota më të larta në sondazhe se paritë e tyre.)
Nga 800 mijë banorë të rritur, që janë gati të votojnë sot për partitë e opozitës, vetëm 610 mijë përkrahin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, vetëm 390 mijë pajtohen me vendimin e opozitës për djegien e mandateve dhe vetëm 400 mijë pajtohen plotësisht me arsyet e protestave të opozitës.
Të ndërthurura së bashku (shihni grafikun shoqërues), rezultatet e mësipërme tregojnë se një pjesë e mirë e 800 mijë votuesve të partive opozitare nuk janë frymëzuar nga liderët e tyre apo nga protestat/bojkoti parlamentar. Arsyeja e tyre kryesore për votën pro partive opozitare duket se është pakënaqësia ndaj qeverisjes.
Në fakt, nga ekstrapolimi i sondazhit rezulton se rreth 830 mijë banorë të rritur mendojnë se në Shqipëri jetohet më keq se para tre vitesh. Ndërkohë, rreth 800 mijë janë gati të votojnë që sot për partitë opozitare…