Detaje të reja ka nxjerrë në studion e emisionit “Opinion” gazetari Artan Hoxha për vrasjet në Shkodër. Sipas tij situata në qytet është e rëndë, ndërsa tani nuk po goditen vetëm anëtarët e bandave por dhe familjarët e tyre. Hoxha tha se ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali pasi është qëlluar me automatik nga distanca, autori është afruar dhe i ka qëlluar në kokë.
“Bilanci i tre ngjarjeve të fundit, Ferracakut dhe dy vëllezërit Bilali nuk janë të përfshirë në ngjarje kriminale. Tek ngjarja e fundit, vëllezërit nuk ishin pjesëtarë të grupeve kriminale. Fakti që autorët kanë përzgjedhur të godasin dy vëllezërit, janë përdorur një automatik dhe një pistoletë TT dhe një pistoletë që ka qenë e Astrit Bilalit. Pasi janë qëlluar, autori iu është afruar dhe i ka qëlluar në kokë. Edhe tek Arjan Ferracaku e ka goditur nga distanca dhe i ka shkuar nga afër dhe e ka qëlluar në kokë”, – tha gazetari.
Sipas tij policia e di se kush i bën këto vrasje, por ende nuk ndërhyn. Ndërsa gazetarja Klodiana Lala tha se zbardhja e vrasjes së dy vëllezërve në Shkodër duket e pamundur. Duke cituar burime nga prokuroria ajo tha se hetuesit kanë pak fakte në dorë.
“Nga burimet zyrtare të prokurorisë, e gjithë trajektorja që kanë ndjekur autorët, ata kanë zgjedhur një rrugë që kamerat janë pa memorie, pa aty ka një dorë të fortë që kontrollon gjithë zonën. Sa i përket automjetit të djegur nuk është gjetur asnjë provë”, – tha gazetarja.
Ekzekutimi i dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali e ka çuar në 9 bilancin e të vrarëve në 9 muajt e fundit në qytetin e Shkodrës.
Pas kësaj ngjarje, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komunikuar shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Shkodrës Vehbi Bushati, duke emëruar në këtë post Niko Brahimajn.
/a.meta