Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi në një lidhje direkt me studion e emisionit “Të paekspozuarit” në “News 24”, u përgjigj në lidhje me fjalët e Ramës se “opozita do të shkojë për skrap”. Kryemadhi tha se Rama po përdor fjalor pervers, ndërsa shtoi se ai po e çon Shqipërinë për skrap.
“Rama po shkatërron Shqipërinë, po çon për skrap vendin. Rama ku ka vënë dorë është si shenjtani që djeg gjithçka ku shkel. Rama përdor fjalor pervers dhe banal. Rama është një njeri pervers dhe këtë e dëshmojnë edhe miqtë e tij më të afërt. Ai mbush sheshet me administratën, ndërsa opozita ka pas vetes popullin”, tha Kryemadhi.
Monika Kryemadhi theksoi se gjendja e shqiptarëve sot është shumë e mjerë. Ajo tha se ka qenë në Dibër dhe ka parë nga afër situatën dramatike në të cilën ndodhet vendi.
“Unë isha në Malësi, në Dibër, në zonën e Kalasë së Dodës dhe fshatrat e tjerë përreth. Mund të them se nga vëzhgimi dhe fjalosja me njerëzit, rezulton se ata janë pesimistë për realitetin shqiptar. Ndërsa të rinjtë kanë ikur, e kanë braktisur masivisht vendin. Dhe kanë ikur kaq shumë sa në atë zonë vetëm një djalë të ri 21 vjeç takova. Edhe ai më tha se po pret sa t’i kalojë periudha e ekspulsit dhe do ikte në Itali. Ko që po ndodh me shqiptarët, me ikjen e të rinjve në mënyrë kaq masive është një tmerr më vete. Edhe projeksioni i popullatës ka rënie, shqiptarët janë ulur në numër, kur duhet të shtoheshin”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi vlerësoi se ka ardhur një periudhë që në politikë po hyjnë njerëz të varfër intelektualisht, sepse e dinë fort mirë se nëse hyjnë në politikë bëhen pis menjëherë, pasi sistemi është i kapur nga krimi dhe bandat.
/a.meta