Shkolla e re që do të ndërtohet në Kodër Kamëz do të ngrihet mbi një tokë private e cila është shpronësuar nga Bashkia e Tiranës për të plotësuar nevojat jetike të këtij komuniteti.
Përmes një postimi në twitter, kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizon se ata të cilët lejuan mbi 200 ndërtime pa leje në këtë zonë heshtën, ndërsa e cilëson të turpshme histerinë e përfaqësuesve të PD ndaj shkollës së re që është një kërkesë e kahershme e banorëve të Njësinë nr 11 në kryeqytet.
“Im atë ka kaluar një dekadë në U. Bujqësor. Unë kam kaluar fëmijërinë në vitet ’80! Si u nënshtruan/korruptuan nga 200 ndërtime pa leje e nuk reaguan, qe turp! Por akoma më turp sot histeria ndaj shkollës JETIKE për NJ.11 në tokë PRIVATE shpronësuar nga Bashkia Tiranë. TURP”, nënvizon Veliaj.
Kreu i Bashkisë siguron qytetarët se shkolla e re në Kodër Kamëz do të plotësojë të gjitha standardet, teksa thekson se godina e re që është dizenjuar me pasion nga një prej arkitektëve më të mirë si Stefano Boeri, do të jetë më e mira në Shqipëri.
“A e patë Liceun, Baletin, Kosovën? Mbajeni mend! Akoma më e bukur do jetë shkolla e rë në Kodër Kamëz – në një anë parashkollor e 9-vjeçare e në anën tjetër gjimnaz! Dizenjuar me pasion nga Stefano Boeri e investuar me dashuri nga Bashkia e Tiranës, do të jetë më e mira në Shqipëri”, shkruan Erion Veliaj.
Për shumë vite të lënë në harresë, falë vëmendjes së shtuar të Bashkisë Tiranë, banorët e Institutit Bujqësor dhe Kodër Kamëz gjatë këtyre katër viteve kanë përfituar nga një sërë projektesh sikurse është investimi madhor për Projektin e Rehabilitimit të Lumit të Tiranës, shtimi me 17 klasa mësimore në Shkollën “Isa Boletini”, me terrene sportive e sistem ngrohje si shkollat më model në kryeqytet. Nuk flitet më për mungesën e ujit të pijshëm dhe mbi të gjitha ujë më cilësor nga furnizimi në rrjet i Bovillës. /a,meta
—