Gjykata Qendrore Penale në Britani ka dënuar me burgim të përjetshëm shqiptarin Mane Driza, që përdorte emrin Sokol Drenova, për vrasjen makabre të bashkëkombasit të tij, 23-vjeçarit Stefan Bledar Mone, në qershor të vitit 1999 në “Wembley” të Londrës.
Mane Driza, i cili përdorte si pseudonim atë të “Toni Montanës” të luajtur nga Al Pacino, do të rikthehet në Itali për të vuajtur dënimin me 30 vite burg, deri në vitin 2026, për vrasjet e bëra në Siçili, për t’u ritkhyer më pas në Britani për këtë dënim të përjetshëm, teksa gjykta ka urdhëruar që ai të vuajë minimalisht 20 vite në burgjet angleze për vrasjen e tij të pestë.
Viktima e tij, i cili priste të bëhej baba, është masakruar me 120 goditje me thikë për një unazë martese, ndërkohë që në procesin gjyqësor Driza tha se viktima ishte një vrasës me pagesë. Pas kësaj vrasjeje, Mane Driza, sot 41-vjeçar, filloi një seri vrasjesh të tjera nëpër Europë.
Mane Driza mbërriti në Angli në qershor të vitit 1997, në moshën 17-vjeçare, pasi kishte vrarë at e bir, Elmaz dhe Lavdosh Kananin, në fshatin Bishan ku jetonte në Shqipëri. Ai është dënuar në mungesë me 25 vite në Shqipëri për këtë krim.
Pas vrasjes në “Wembley” të Londrës, Mane Driza u arratis disa orë, duke fluturuar për në Milano nga aeroporti “Stanstead” i Londrës. Në Siçili, ai vrau dy shqiptarë të tjerë, Artan Maskaj dhe Albert Bushaj, në një bar në Katania 6 muaj më vonë.
Inspektori dedektiv britanik, Garry Moncriff thotë se “ky proces dëshmon vendosmërinë dhe këmbënguljen e Policisë Metropolitane për të garantuar se ata që kryejnë dhunë, do të trajtohen sipas ligjit, pavarësisht sesa kohë ka kaluar nga kryerja e krimit”.
/a.meta