Lideri i BE-së, Jean Claude Juncker u angazhua të mërkurën se do të punohet deri në momentin e fundit për të parandaluar një Brexit pa marrëveshje, por pranoi se ky duket tani se do të jetë rezultati më i mundshëm.
Duke folur në parlamentin evropian, pasi kryeministrja Theresa May kërkoi një shtyrje të shkurtër, Juncker tha se Britania mbetet në kursin e Brexitit javën e ardhshme.
“Unë besoj se skenari i Brexitit pa marrëveshje është më i mundshme në mesnatën e 12 prillit. Nuk është rezultati që unë dua, por është një rezultat për të cilin ne kemi bërë të mundur që Bashkimi Evropian të jetë i përgatitur. Unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të evituar daljen pa rregull të Britanisë së Madhe”, tha Juncker, duke paralajmëruar se vetëm populistët dhe nacionalistët do t’i gëzoheshin një Brexiti pa marrëveshje.
Kryeministrja britanike kërkoi të mërkurën ndihmën e opozitës për të kapërcyer ngërçin dhe kjo ka bërë që të përballet me kritikat e deputetëve të partisë së saj. Sidoqoftë, ajo tha se të gjithë deputetët kanë përgjegjësi për jetësimin e Brexitit.
Britania e Madhe duhet të largohej nga blloku më 29 mars, por kryeministrja mundi të merrte miratimin e BE-së për një shtyrje të shkurtër dhe tani, skadenca e radhës është 12 prilli dhe pak gjasa ka që të ketë një zhvillim pozitiv deri në këtë datë.
/a.meta