Kryeministri Edi Rama së bashku me numrin dy të PS-së, Taulant Ballën ishin sot në fshatin Mollas të Cërrikut për të inspektuar punimet që po kryhen nga OSHEE në rrjetin elektrik, i cili sipas tyre do të garantojë furnizimin e qëndrueshëm me energji të shumë zonave që më parë ishin të harruar.
Shefi i qeverisë tha se banorët e kësaj zone nuk do të lihen në harresë, por me investimin e kryer do të bëhet e mundur furnizimi me energji sipas parametrave.
“Këtu erdhëm për të parë punën që po kryhet nga OSHEE. Investimi i fundit është bërë kur është elektrifikuar vendi. U desh ajo reformë dhe u desh sakrifica e shumë familjeve që paguan detyrimet dhe pak nga pak po ndryshojmë rrugën e të ardhmes duke filluar të investojmë.
Do të keni energjinë të pa ndërprerë dhe sipas të gjithë parametrave. Kjo zonë është e rregullt në pagesat e energjisë. Më vjen shumë mirë që e realizuam këtë pjesë, sigurisht ka edhe shumë punë të tjera për të bërë”, tha Rama.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shfrytëzoi rastin t’u kërkonte ndjesë banorëve të kësaj zone. Ai tha se ishte një gabim që besimin e bashkisë ia dhanë katër vite më parë një kryebashkiake, i cila vinte nga radhët e LSI-së duke shtuar se Cërriku u harrua jo vetëm nga ajo por edhe nga vetë Monika Kryemadhi.
/a.rada