Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi së bashku me disa protestues të tjerë opozitarë kanë pritur kryeministrin Edi Rama me protesta gjatë vizitës pasditen e sotme në fshatin Linas të Mollasit në Elbasan. Në një moment situata është tensionuar duke sjellë ndërhyrjen e policisë për të hapur rrugën nga protestuesit që të kalonte eskorta, por ish-deputeti demokrat akuzon se nëndrejtori i policisë së Elbasanit Albert Nushi e kërcënoi me jetë.
“Ishte një përplasje fizike me ish-drejtorin e Fierit, atë që paguante Fredi Alizotin, që ka dy akuza të rëndë në kurriz të tij dhe na e kanë sjellë për të pastruar në Elbasan. Ishim në bordurën e urës për protestën tonë. Protesta nuk kishte nisur.
Me atë brutalitetin e tij, na ka kërcënuar me jetë, më ka kërcënuar mua. Nuk është gjë e mirë që e them LIVE, por e vërteta është e vërtetë. Këto janë ato ish-drejtorët që e kap për veshi Fred Alizotin në përgjim dhe bën cubin me qytetarët me ne.
Këta janë ata maskarenjtë që tentojnë që të mbyllin gojën dhe të godasin qytetarët. Protesta nuk kishte nisur, por prisnin kalimin e ‘kortezhit’ të Ramës, se ashtu është ai kur vjen në zonat tona. Këta nuk kursejnë asgjë.
Policia merr urdhra politikë, paguhet nga krimi. Kjo ishte shprehje proteste sipas të gjitha standardeve. 13 Prilli po vjen, protesta do të jetë më e fortë, dhe përgjigjen do ta marrë Rama, Fred Nushi dhe të tjerët” deklaroi ai për Report Tv.
Por, nëndrejtori i policisë së Elbasanit, Nushi ka mohuar akuzat e Boçit. Në një prononcim për Shqiptarja.com, ai tha se nuk ka shanse që të ndodhë një gjë e tillë, ndërsa i dërgoi një mesazh ish-deputetit demokrat. “Nuk ka shans që policia e shtetit të kërcënojë me jetë, pasi policia është për të parandaluar ngjarjet kriminale. I thoni Boçit se nuk i vjen e keqja nga policia” tha ai.
/a.meta