“Europa do të vijojë mbështetjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor duke ndihmuar në zhvillimin dhe prosperitetin e tyre”. Kështu janë shprehur europarlamentarët gjatë një takimi në Rumani në konferencën inter-parlamentare “E ardhmja në BE”.
Deputeti Bushati falenderoi eurodeputetët për mbështetjen që i është dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e tij Bushati theksoi se po ndërmerren të gjitha hapat që të jemi pjesë e kësaj gjithëpërfshirjeje të madhe duke theksuar se Shqipëria i ka plotësuar mirë dhe me vendosmëri detyrat që i janë dhënë për të mundësuar anëtarësimin tonë në BE.
“Sot 95 % e shqiptarëve e mbështesin Bashkimin Evropian, bashkimin e paqes, sepse një Europë e bashkuar në paqe nuk mund të mposhtet nga lufta. Ballkani Perendimor tashmë është pjesë përbërëse e Europes. Kur ne flasim për Evropën, flasim për gjithpërfshirje, nuk është thjeshtë një grupim për paqen apo sigurinë, apo grupim ekonomik por bëhet fjalë për gjithëpërfshirje. Vendet e Ballkanit Prendimor në rang popullsie janë “de facto” në të njëjtin nivel me popullsinë e Rumanisë dhe ne i kemi parë me sytë tanë mrekullitë e BE-së, sepse ne kemi parë mrekullitë e paqes, të një periudhe të paprecedent paqeje prej më tepër se 70 vjet paqe, mbështetur edhe nga NATO dhe ne jemi mbeshtetes të zjarrtë të NATO-s dhe sapo festuam 10 vjetorin e anëtarësimit në NATO, pasi ne besojmë tek paqja dhe prosperiteti.
Ne i kemi vuajtur dëmet e luftrave përgjatë historisë sepse në trojet tona janë zhvilluar shumica e luftrave globale, jo për shkak të shqiptarëve, jo për shkak të grekërve, por për shkak të Luftërave Botërore, përplasjes së civilizimeve njëri me tjetrin.
Ne po bëjmë çdo gjë të nevojshme që të jemi të përkrahur, të jemi pjesë e kësaj gjithëpërfshirjeje të madhe. I kemi plotësuar mirë dhe me vendosmëri detyrat që na janë dhënë për të mundësuar anëtarësimin tonë në BE, sepse popujt tanë besojnë, ata besojnë si tek ylli Veriut, që ne duhet ti realizojmë të gjitha reformat për anëtarësim, dhe krenaria dhe kurora jonë është Reforma në Drejtësi. Ne jemi i vetmi vend në botë qe e kemi inkorporuar specifikisht në Kushtetutë një organizëm ndërkombëtar mbikëqyrës për Reformën në Drejtësi. Ballkani Perendimor është Evropian, është pjesë Integrale e Europës”.
Kryetari i Komisionit për çështjet evropiane të Bullgarisë, ish Ministri i Jashtëm Kristian Vigen, ndau të njëtin mendim si Z.Bushati përsa i përket integrimit në BE. Për të thelbi i këtij procesi nuk eshte tek zgjerimi, por tek gjithëpërfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për Z.Vigenin, për t`u bërë pjesë e BE-së është një proces i ndërlikuar dhe kërkon përpjekje nga të dyja palët. “ Nësë BE-ja do të shohë që vendet janë realisht të vendosura dhe të angazhuara për zgjidhjen e problemeve mes tyre, për ndërmarjen e reformave të nevojshme, do të jetë shumë më e lehtë për përmbushjen e hapit të madh dhe kryesisht për Maqedoninë e Veriut dhe Shqiperisë për hapjen e negociatave në Qershor. Shpresoj shume të arrihet kjo gjë dhe të vazhdojmë me shpejtësi drejt anëtarësimit”. /a.meta