Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po zhvillon sot seancën dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Fehmi Petku, kreu i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Trupa gjykuese që po kryen hetimin administrativ për gjyqtarin Petku përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Fehmi Petku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar pranë Gjykatës së Tiranës përgjatë viteve 2000-2009 dhe më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Prej vitit 2015, Petku është emëruar kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Petku është paraqitur pa avokat mbrojtës në seancë. Sipas relatimit të KPK të raportit të ILDKPI, deklarimi i pasurisë nuk është i saktë, ka fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi.
Nga hetimi i thelluar i KPK ka rezultuar se ai ka pasuri në pjesë takuese: Truall 272 m blerë nga babai i tij; 1/4 e një banesë të ndërtuar në këtë truall; 1/4 e një sipërfaqeje 700 m2; 1/4 e një sipërfaqeje 2000 m2; 1/4 truall 16 mijë m2 blerë nga babai në 1996.
Duke qenë se këto pasuri janë trashëguar nga babai, hetimi u thellua tek hetimi i pasurisë së babait. KPK tha se Petku në vitin 1999 ka gjykuar një dosje për Vehbi Alimuçën, ish-kreun e firmës piramidale VEFA, kohë kur babai i tij kishte marrëdhënie interesi.
KPK deklaroi se duket se ka mungesë të burimeve të ligjshme të pasurisë së babait të tij dhe ka konflikt në gjykimin e Vehbi Alimuçës kur babai kishte marrëdhënie interesi. Po kështu sipas KPK, ka mungesë dokumentacioni për justifikimin e një trualli prej 16 mijë m2.
g.kosovari