Sot, në Rrajcë u prezantua programi “Furnizimi me ujë në zonat rurale”. Ky program ka mbështetje nga BE dhe Gjermania. Në prezantimin e programit, mori pjesë edhe ambasadori i BE Luigi Soreca. Ai tha se BE dhe Gjermania kanë 3 programe për të sjellë ujë në zonat rurale në Shqipëri.
“BE dhe Gjermania kanë 3 plane të rëndësishme për të sjellë ujë të pijshëm në zonat rurale të Shqipërisë. Prania e ujit në zonat rurale, bën që rinia të mund të qëndrojë në zonën nga ku ka origjinën. Gjithashtu, nxitet zhvillimi ekonomik. Ky është vetëm fillimi, pasi kemi shumë për të bërë. Në pjesën e zbatimit duhet të koordinojmë të gjithë, shoqëria civile, qytetarët”, tha Soreca.
Luigi Soreca u shpreh se këto programe ndihmojnë jetën e qytetarëve shqiptarë jo vetëm për momentin, por edhe brezat e ardhshëm për të pasur jetë më të mirë, kushte më të volitshme.
Ambasadorja gjermane Susanne Schütz e pranishme sot në Rrajcë, tha se investimet dhe mbështetja e shtetit që ajo përfaqëson do të vazhdojnë gjatë në Shqipëri.
“Jam shumë e lumtur që jam mes jush në këtë ceremoni inaugurimi. Këtu pas një viti nga dita e sotme do të krijohet një infrastrukturë e re ujore që do krijojë fshatra. Kjo do të thotë që të gjithë ju do keni kushte më të mira jetese, dhe turistët në zonë do kenë përfitime.
Duke qenë se një pjesë e madhe e investimeve ka të bëjë me infrastruktërn nëntokë një pjesë e saj nuk do të duket, por jam e sigurtë që do të ketë një sukses të madh. Gjermania, që në 1998 është donator më i madh i Shqipërisë, ku kanë përfituar mjaft banorë.
Qeveria Gjermane do të vijojë angazhimin e saj në Shqipëri, së bashku me Bashkimin Europian. Sidoqoftë investimet kanë rezultat nëse shoqëroren me reformën strukturore. Masat janë më të nevojshme, në kuadrin institucional dhe ligjor. Jam e lumtur që ne ofrojmë mbështetjen tonë. Më lejoni të përmbyll duke inkurajuar qeverinë shqiptare dhe për reformat. Dhe me këtë frymë pozitive i uroj projektit një përfundim të suksesshëm.”-u shpreh ajo.
g.kosovari