Vala e protestave që ka pushtuar Ballkanin ka bërë jehonë edhe në shtypin polak, me të përditshmen më të madhe në vend, “Wiadomosci”, që i ka dedikuar një artikull të gjatësituatës në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri.
Në artikullin e saj, gazeta polake shkruan me shqetësim se si destabiliteti po prek Bashkimin Europian pikërisht në kufirin e tij më delikat, në një zonë historikisht të paqëndrueshme si Ballkani Perëndimor.
“Në Serbi, protestat përshkallëzuan me pushtimin e selisë së televizionit kombëtar RTS”, shkruan “Wiadomosci”. Ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç, në një konferencë për shtyp është zotuar që të gjithë përgjegjësit për këtë aksion të dhunshëm do të vendosen përpara ligjit.
“Por, këto protesta sjellin në mendje situatën e 20 viteve më parë, kur në Tetor 2000, protestuesit kundër regjimit të Milosheviçit hynë me forcë në selinë e televizionit publik”, vijon “Wiadomosci”.
Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe në qendrat e tjera të mëdha të vendit, si Nishi dhe Novi Sadi, si dhe në disa qytete më të vogla. Këto protesta organizohen nga një parti nacionaliste, “Dveri” e Boshko Obradoviçit, i cili justifikoi pushtimin e televizionit duke thënë se “kemi kërkuar prej muajsh të flasim në televizionin publik. Ky është rezultati”.
Ndërkohë, në Podgoricë, me mijëra protestues zunë rrugët për të pestën herë brenda këtij viti, duke kërkuar largimin e presidentit Milo Djukanoviç. “Milo hajdut, shteti jemi ne”, thirrjet e turmës, raporton e përditshmja polake. Më tej, protestuesit vijuan, “Poshtë Milo, nuk duam një diktator”.
“Në Tiranë, një protestë e nisur si paqësore përfundoi në përleshje me forcat e policisë. Me qindra protestues spërkatën me gurë Parlamentin, e si rrjedhojë pati lëndime në radhët e policëve. Edhe në Shqipëri, kjo ishte protesta e pestë që prej fillimit të vitit”, raporton “Wiadmosci”.
Përtej kësaj panorame të frikshme në dyert e Europës, gazeta polake shtron pyetjen se kush është i interesuar për këtë destabilitet.
Duke evituar të përmendë emra konkretë, “Wiadomosci” bën të qartë që këto lëvizje të koordinuara, në prag të zgjedhjeve europiane, nuk i shërbejnë Europës, por palëve të treta.
Në Mal të Zi, vetëm dy vite më parë u verifikua një grusht shteti, në të cilin u tentua të rrëzohej Gjukanoviç. Përfshirja e shërbimeve sekrete të ushtrisë ruse (GRU) u provua përmes arrestimit të disa efektivëve të këtij shërbimi, në grushtin e dështuar të shtetit.
Ndërkohë, në Serbi, Rusia duket e shqetësuar nga tendencat gjithmonë më pro-europiane të Presidentit Vuçiç. Pengimi i anëtarësimit të këtij vendi në NATO dhe BE është një imperativë absolute e politikës së jashtme të Kremlinit.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë “puzzle”, duket se tregon për një influencë në rritje ruse edhe në vendin tonë.
Nëse ky fill mendimi provohet si i vërtetë, atëherë protestat në të tre vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë asgjë të përbashkët me zhvillimet e brendshme në secilin vend, por janë pjesë e një skenari më të gjerë, të përpunuar, për të destabilizuar së bashku me Ballkanin edhe Bashkimin Europian, në një moment kritik për këtë të fundit, në prag të zgjedhjeve ku ekziston frika se partitë nacionaliste ekstreme do të fitojnë një numër rekord përfaqësuesish në Parlamentin Europian.
g.kosovari