Tirana ndihet e vjedhur, ndaj për këtë arsye ka bërë një denoncim publik, ku dënon ashpër padrejtësitë, që sipas klubit, i janë bërë nga arbitrat. Me anë të një komunikate publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Tirana dënon ashpër dhunën e ushtruar, sipas klubi, ndaj lojtarëve të saj në përfundim të ndeshjes me Laçin.
“Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër ngjarjet e ndodhura dje në stadiumin “Selman Stërmasi”. Lojtarët e Tiranës u provokuan dhe u dhunuan. Klubi i ka vënë në dispozicion Policisë së Tiranës pamjet filmike për gjithçka ka ndodhur në përfundim të ndeshjes Tirana-Laçi dhe pret zbardhjen e ngjarjes si dhe pasojat ligjore”-shkruan klubi bardheblu, ndërsa më tej tregon se pas ditës së djeshme, klubi ka hapur një çështje në FIFA për gjyqtarin Olsi Sokoli, të cilin e akuzon për racizëm.
“Denoncimet publike në këtë vend, thuajse gjithmonë kanë rënë në vesh të shurdhët për të mos sjellë ndryshim. Për këtë dhe të tjera arsye, zgjedhim të mos flasim gjatë por të veprojmë.
Dy javë më parë, gjyqtari Olsi Sokoli, vodhi turpshëm skuadrën në fushë ndaj Kastriotit dhe klubi ka hapur një çështje në FIFA, në sektorin e Luftës kundër Racizmit, në mungesë të një përgjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit”-thuhet në komunikatën e klubit, ndërsa përfundon me denoncimin e ngjarjes së djeshme në polici, duke paralajmëruar edhe dërgimin e tyre në FIFA.
“Dje skuadra u vodh në fushë, në një ndeshje që mund të luhej deri në të gdhirë sipas kryesorit Kridens Meta dhe më pas u provokua dhe u godit turpshëm. Pamjet filmike janë në depozituar në Policinë e Tiranës. Ngjarjet e dy javëve të fundit do të rehatohen gjithashtu në UEFA dhe FIFA”-përfundon komunikata e Tiranës.