Ashtu si ishte parashikuar, po shikohet drite per studentet ekselente.
52 studentë ekselentë kanë filluar punë në Administratën e Doganave Shqiptare (ADSH).
Në zbatim të vendimit të qeverisë “Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil për vitin 2019”, përmes aplikimit në platformën “Punë të Mbarë”, 52 studentë me mesatare të notës 9 deri 10, janë përzgjedhur për periudhën njëvjeçare, të punojnë pranë kësaj administrate.
21 prej këtyre studentëve kanë filluar punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe pjesa tjetër e studentëve janë rekrutuar në 17 degët doganore në rrethe.
Fillimisht ata po trajnohen nga stafi i ADSH-së dhe më pas do të fillojnë punën në pozicionin e përzgjedhur prej tyre.
Disa prej këtyre studentëve u shprehën për Agjencinë Telegrafike Shqiptare të impresionuar nga transparenca e modelit të aplikimit dhe përzgjedhjes në portalin “Punë të Mbarë” dhe treguan gatishmëri e përkushtim në angazhimin e punës së nisur, ku për asnjë çast siç thanë ata, “nuk mungon mbështetja dhe profesionalizmi i stafit të DPD-së”.