Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras ka reaguar për pronat e minoritetit grek që jetojnë në Himarë. Gjatë samitit mes katër shtetesh të zhvilluar në Bukuresht, konkretisht mes Greqisë-Rumanisë-Serbisë-Bullgarisë, kreu i qeverisë greke tregoi se Shqipëria mund të përballet me sanksione.
“Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat drejt perspektivës evropiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, tha ai.
Sipas mediave greke, Tsipras i referohej një informacioni që kishte marrë se konkretisht qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare.
Ai mes tjerash tha se këto informacione duhet të verifikohen dhe nëse prej tyre del se gjithçka është e vërtetë, atëherë Greqia do të bëhet pengesë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, proces ky që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor.
Duke folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht ngrirjes së dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për shkak të taksës, kryeministri grek tha se vendi i tij mbështet përpjekjet që të dyja vendet të nisin dialogun. Ai shprehet se dialogu është penguar për shkak të sanksioneve, që Prishtina ka aplikuar ndaj Serbisë.
“Ne mbështesim përpjekjet për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, suksesi i të cilit është i një rëndësie të veçantë për rajonin tonë, dialogu nuk është ndihmuar nga nismat që ka marrë Prishtina”, tha ai mes tjerash./BW