Peter Jackson, i njohur për trilogjinë “Lord of the rings”, do të jetë regjisori i filmit të ri mbi “The Beatles”. Projekti është bazuar mbi një sërë filmimesh të papublikuara më parë, të xhiruara në janar 1969, ku shfaqen imazhe nga regjistrimi në studio i albumit “Let It Be”, publikuar disa muaj pas ndarjes së grupit.
“Të shikosh John, Paul, George e Ringo të punojnë së bashku është jashtëzakonisht intime”-deklaroi Jackson.
“55 orët e filmimeve të papublikuara dhe 140 orë audio që janë vënë në dispozicion e bëjnë këtë film një eksperiencë të papërshkrueshme që fansat e “Beatles” e kanë ëndërruar prej kohësh. Si një makinë në kohë, na çon pas në vitin 1969, duke na rehatuar në studio për t’i parë këta katër miq të bëjnë muzikë të mirë”, -zbuloi regjisori.
Fryt i bashkëpunimit mes “Apple Corps Ltd.” dhe “WingNut Films Ltd.”, filmi është realizuar me bashkëpunimin e plotë të Paul McCartney, Ringo Starr, Yoko Ono Lennon e Olivia Harrison.
Si fillim, xhirimet u orientuan më shumë për nga seriali televiziv, por më pas u vendos për të realizuar një film, që do të mbyllet me performancën legjendare të “Beatles” në tarracën e një pallati në Londër, pikërisht 50 vjet më parë.
/a.meta