Eduard Kukan, Kryesues i Komitetit të Parlamentit Evropian, ka takuar sot një delegacion të Kuvendit të Serbisë, ku ka thënë se Beogradi dhe Prishtina duhet të arrijnë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse përmes të cilës do të zgjidhen të gjitha problemet ekzistuese ndërmjet palëve.
Kukan ka thënës e kjo marrëveshje për të cilën duhet të punojnë të dy palët, duhet të arrihet para anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Sipas tij hapi i parë drejt kësaj marrëveshje është heqja e vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe, gjë të cilën po e kërkon tash e një kohë edhe Serbia si kusht për t’u rikthyer ne dialog.
Zyrtari i lartë i BE-së ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të mbesin multietnike, dhe se për marrëveshjen çfarëdo qoftë ajo duhet të pajtohen të dy palët, dhe të jetë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare duke marrë parasysh stabilitetin e përgjithshëm në rajon.
Sipas tij një marrëveshje e tillë mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet politik nga Prishtina dhe Beogradi.
g.kosovari