Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës para parlamentit kundër qeverisë. Protesta është parashikuar të nisë në orën 9:30, ndërsa në orën 10 do të fillojë edhe seanca parlamentare.
PD-LSI kanë paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.
Nga 16 shkurti opozita ka organizuar 6 protesta para Kryeministrisë dhe parlamentit. E fundit ishte më 21 mars.
Opozita ka dorëzuar mandatet parlamentare, një pjesë e të cilave janë zëvendësuar nga deputetë të rinj, kandidatë të listave të PD dhe LSI të 2017.
***
Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në Fier janë nisur drejt Tiranës që në orët e para të mëngjesit.
Kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi, tha se protesta e radhës do të jetë para një parlamenti që nuk e njohim.
“Parlament fals, i mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Nuk do të lejojmë të zhvillohet një parlament i rregullt.
Protesta do të kulmojë në 13 prill. Nga këto protesta popullore kryeministri Rama duhet t’i thërrasë mendjes pasi protestat janë qytetare.
Betimi i deputetëve të rinj është një lojë e mazhorancës së sotme që kërkon të krijojë një opozitë false”, deklaroi Baçi.
/a.rada