Pas disa takimesh të zhvilluara në Francë me një sërë personalitetesh, ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj është takuar dhe me ministrin e Jashtëm francez, me të cilin ka diskutuar rreth çështjeve të integrimit Europian të Shqipërisë.
Përmes një njoftimi Ministria e Brendshme bën me dije se gjatë takimit mes dy ministrave është diskutuar edhe për Reformën në Drejtësi, për të cilën ministri Lleshaj ka garantuar se po ecën me intensitetin e duhur.
“Me rëndësi të veçantë ishte edhe takimi në Ministrinë e Jashtme franceze ku diskutuam kryesisht çështje të integrimit europian të Shqipërisë. Mora mbështetje të rëndësishme nga autoritetet franceze të Ministrisë së Punëve të Jashtme për qëndrimin francez në mbështetje të procesit integrues të Shqipërisë. Ne dhamë garancitë e nevojshme se procesi i reformave, kryesisht Reforma në Drejtësi, dhe në fusha të tjera do të vijojnë me intensitetin e duhur, në interes të përshpejtimit të të gjithë procesit, me shpresën e madhe që vendimi i pritshëm për hapjen e negociatave të merret në favor të Shqipërisë në muajin qershor”, thuhet në njoftim.
/a.rada