Parlamenti Evropian u bëri sot thirrje vendeve anëtare të BE-së të frenojnë pastrimin e parave në bllok duke u dhënë fund programeve të shitjes së vizave dhe pasaportave, një hap që industria miliarda dollarëshe e konsideron tepër të dëmshme ekonomikisht.
Rekomandimi vjen pas një raporti të ashpër që akuzoi shtatë vende të BE-së që veprojnë si parajsa fiskale: Luksemburgu, Qiproja, Irlanda, Malta, Hungaria, Belgjika dhe Holanda.
Dokumenti final është rezultat i një pune mëse 1-vjeçare të Komitetit Parlamentar mbi Krimin Financiar dhe Evazionin Fiskal. Ky raport është miratuar nga asambleja, çka e rrit peshën e tij politike, pavarësisht se mbetet jodetyrues.
Ligjvënësit europianë thonë se shtetet e BE-së duhet “të zhdukin” sa më shpejt të jetë e mundur të gjitha skemat ekzistuese të dhënies së nënshtetësisë dhe lejeve të qëndrimit për të huajt e pasur. Aktualisht 20 nga 28 shtetet e BE-së kanë programe të tilla.
Përparësitë ekonomike të këtyre skemave “nuk e kompensojnë sigurinë serioze, pastrimin e parave dhe evazionin fiskal që ato paraqesin”, thuhet në rezolutë.
Por shoqata tregtare e industrisë, Këshilli për Migracionin e Investimeve, thotë se nëse u jepet fund këtyre programeve, do të viheshin në rrezik investime vitale në “ekonomitë periferike”.
Ligjvënësit mbështetën paralajmërimet e Komisionit për rreziqet që paraqiten kryesisht nga programet e drejtuara nga Malta dhe Qiproja.
“Një hap i mirë i parë për të luftuar pastrimin e parave brenda BE do të ishte heqja dorë nga të ashtuquajturat ‘vizat e arta’, të cilat janë një portë për pastrimin e parave dhe krimin e organizuar”, tha Markus Ferber, kreu i grupit konservator në komitetin ekonomik të PE.
Në raport, ligjvënësit gjithashtu kërkojnë krijimin e një policie financiare në mbarë BE-në për të luftuar pastrimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale, të cilat ata vlerësojnë se arrijnë shumën 110 miliardë euro (124.19 miliardë dollarë) në vit në BE.
Ata kërkojnë rregulla dhe mbikëqyrje më të rrepta për të luftuar pastrimin e parave përballë një serie skandalesh që kanë goditur disa banka.
Në raport i kërkohet Komisionit të BE-së të vlerësojë rreziqet e pastrimit të parave që paraqiten nga marrëveshjet ligjore siç janë mekanizmet me qëllim të posaçëm dhe trustet që nuk kanë qëllime bamirësie, veçanërisht në Britaninë e Madhe dhe vendet nën varësinë e kurorës mbretërore.(TemA TV)