Sot pritet te zhvillohet seanca e radhes ne ngarkim te ish-ministrit te Brendshem, Saimir Tahiri.
Ne paraqitjen e fundit ne Gjykatën për Krime të Rënda, teksa seanca deshtoi, avokati Makism Haxhia, në një prononcim për mediat la të hapur mundësinë për të kërkuar gjykim të shkurtuar.
Shqyrtimi i hetimeve të Prokurorisë do të bëhet sot më 26 mars, pasi seancen e shkuar nuk ishin njoftuar 3 të hetuarit e tjerë, ish-policët Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, që ndodhen në arrati prej më shumë se një viti.
Çfare tha avokati i Tahirit
Sipas avokatit të Tahirit, mosnjoftimi zyrtar i tre të hetuarve të tjerë nuk ishte veprim serioz i Prokurorisë për Krime të Rënda, ndërsa shtoi se ata do të kërkojnë pafajësinë në seancën paraprake.
“Është shtyrë seanca sepse organi i Prokurorisë, nëpërmjet oficerëve të Policisë Gjyqësore duhet të kishte bërë lajmërimin e të hetuarve dhe nuk e ka bërë. Gjë, që nuk është serioze për një organ të tillë, që është i mobilizuar dhe për më tepër, këtë çështje kaq serioze. Ata janë në kërkim, por ka edhe procedura lajmërimi”, tha Haxhia.
Vetë ish-ministri nuk foli pasi la sallën e gjyqit, duke lënë përfaqësuesin e tij, Maksim Haxhia, t’i përgjigjej interesit të medias. Ky i fundit, pyetjes nëse do të kërkojnë gjykim të shkurtuar, iu përgjigj se nëse zvarritja e procesit do të vazhdojë, ata mund të kërkojnë të procedohet me gjykimin e posaçëm, që në rast fajësie do t’i ulte dënimin Tahirit, ndërsa procesi gjyqësor do të mbyllej brenda 5 seancash.
“Nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve, do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar. Gjithë materiali që ne kemi parë në 57 kapituj, në fashikujt e dosjeve në ngarkim të Tahirit dhe të tjerëve nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin, që të çojë në ngritjen dhe bazueshmërinë e akuzave, për të cilat ai është sjellë për gjykim. Nuk ka letërporosi, ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen ‘Tahiri’ nga analistë të qëllimshëm dhe të pozicionuar. Nuk ka 8, por 2 letërporosi që nuk kanë të bëjnë me akuzat”, përfundoi Maksim Haxhia.
Prokuroria për Krime të Rënda hetoi rreth 16 muaj për Tahirin, ndërsa vendosi ta marrë të pandehur për akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”. Referuar hetimeve, ato bazohen në përgjigjet e letërporosive të ardhura nga Italia, Mali i Zi dhe Greqia, si dhe disa përgjime.
/panorama/a.r