Nga Nertil Jole/
Nuk është aq e largët dita kur kryeqyteti i Shqipërisë ka patur një pamje që nuk i ngjan aspak asaj që ka sot. I ngjante më shumë një territori të “kërpudhëzuar” dhe të asfiksuar nga kioskat e ndërtimet pa leje, që të krijonte përshtypjen e një vendi të pasluftës në Lindjen e Mesme, sesa një qyteti në gjirin më të bukur mesdhetar të Europës.
Por nuk është qëllimi im të krahasoj Tiranën e vitit 2000 me Tiranën e vitit 2019. Ajo që dua të bëj është të evidentoj arsyet se përse sipas meje, Tirana pas vitit 1990 ka ndryshuar faqe vetëm kur është qeverisur nga socialistët. Përjashtoj këtu natyrisht stanjacionin e zhvillimit të Tiranës gjatë periudhës kur midis dy qeverisjeve socialiste, drejtimin e qytetit e mori Lulzim Basha, pasi humbi me 10 vota.
Është fakt që transformimi i Tiranës ka nisur në periudhën kur kryeministri i sotëm, asokohe Kryetar i Bashkisë, hodhi themelet e para të ndërtimit të Tiranës së shekullit të ri. Kjo padyshim u bë e mundur falë mbështetjes së qeverisë qëndrore socialiste që besoi në projektin e tij për Tiranën gjatë 5 viteve të para, deri sa mbështetja për kryeqytetin nga qeveria qëndrore u ndërpre në vitin 2005, kur drejtimin e vendit e morën demokratët. Pavarësisht kësaj, Tirana vijoi të merrte zhvillim edhe në vitet që pasuan, falë përkushtimit të kryetarit të bashkisë por edhe si pasojë e frymës në ekip dhe angazhimit të një stafi të dedikuar. Në atë kohë institucioni i bashkisë Tiranë ishte modeli më i mirë i punës në administratën publike të atyre viteve.
Vazhdimin e këtij projekti dhe modeli transformimi në 4 vitet e fundit e zhvilloi me shumë sukses Erion Veliaj, i cili para dy ditësh u rikonfirmua si kandidat për një mandat të dytë. Arsyet pse Erion Veliaj e meriton një mandat të dytë në krye të bashkisë Tiranë, janë lehtësisht të kuptueshme, për të gjithë ata që kanë kthjelltësinë minimale për të dalluar ndryshimet e katër viteve të fundit dhe përmirësimet e bëra në kryeqytet.
Ato janë ndryshime që qytetarët (duan ose s’duan) i prekin çdo ditë, në rrugicat e lagjeve të tyre të asfaltuara e me ndriçim, në kopshtet dhe shkollat e rikonstruktuara per fëmijët e tyre, në këndet argëtuese dhe parqet rekreative ku fëmijët gëzojnë, në hapësirat e shtuara të artit e kulturës, në infrastrukturën e transformuar urbane, deri te aktivitetet festive që e kanë gjallëruar jetën e qytetit si asnjeherë më parë. Urbanizimi po shtrihet njëtrajtshmërisht edhe në territoret e ish komunave, tashmë pjesë e bashkisë.
Tirana e sotme është më e pastër, më e ndriçuar, ofron më shumë rregull dhe është padiskutim më miqësore me banoret që i shtohen çdo ditë. Tirana është bërë një destinacion tërheqës për mbarë shqiptarinë që jeton në rajon, por edhe më gjerë. Numri i turistëve të huaj që sot vizitojnë Tiranën është disa fish më i lartë se ai i katër viteve më parë.
Ky trend pozitiv dhe i pamohueshëm që kryeqyteti ka patur vitet e fundit, falë energjisë dhe kreativitetit që Erion Veliaj frymëzon me ekpin e tij të përkushtuar, është i nevojshëm. Tirana është dhe duhet të jetë edhe më tej një shembull për të gjitha bashkitë e vendit për ta bërë më efektive edhe vetë reformën administrative-territoriale.
Në kushtet e një trendi të tillë pozitiv e të një progresi me ritme të shpejta që Tirana ka patur në rrugëtimin e vet zhvillimor, është e natyrshme që disa ngjarje, ide apo projekte të hasin vështirësi apo kundërshti lidhur me formën apo natyrën e zhvillimit. Kjo ka lidhje me botëkuptimin e secilit, prandaj çdo këndvështrim duhet respektuar.
Të tilla debate janë gjithmonë të shëndetshme dhe dëshmojnë për dinamikën që gëlon qyteti, kur banorët e tij shpesh herë ndajnë vizione e pikëvështrime të ndryshme, lidhur me fytyrën që qyteti duhet të ketë, pa cënuar trashëgiminë dhe peisazhin monumental e natyror që ai ka.
Përpos arsyeve të tjera shumë të rëndësishme, është edhe modeli i ri që Erion Veliaj ka sjellë me punën e tij në qeverisjen vendore, ajo që ka shkaktuar kaq shumë histeri te ata që sot kanë djegur mandatet, në emër të “dashurisë” së tyre për Shqipërinë. Sikur kjo ndjesi në vetëdijen e tyre të kishte ekzistuar qoftë edhe vetëm një minutë, do t’iu mjaftonte për të kuptuar se fuqia për të transformuar pozitivisht realitetin, nuk buron nga urrejtja për kundërshtarët, por nga besimi që arrin të krijosh me modelin tënd. Sa kohë kjo fuqi intelektuale e profesionale iu mungon, për aq kohë vendi do ndiejë mungesën e alternativës në raport me qeverisjen qëndrore e vendore.
Reagimet kundërshtuese që e shoqërojnë zhvillimin e një qyteti mund të jenë të karkaterit politik ose qytetar. Për të parën arsyet dhe motivet janë të njohura, pasi lidhen më së shumti me luftën politike për të goditur apo dobësuar kundërshtarin, duke shpresuar se në këtë mënyrë kreditet politike të alternativës konkurente rriten. Ndërsa për të dytën, sa i takon ndjeshmërive të vërteta qytetare, kjo është gjithmonë arsye që çdo kryetar bashkie të manifestojë në mënyrë sistematike vetëpërmbajtje e vullnet për reflektim gjatë ushtrimit të detyrës, duke luftuar e punuar gjithmonë për të fituar konsensus sa më të gjerë për projektet që propozon.
Sa është kjo e vërtetë dhe shpesh herë e domosdoshme, aq është e vërtetë edhe përgjegjësia për të marrë vendime lidhur me të ardhmen e qytetit. Shpesh herë disa vendime nuk janë aspak të lehta, por koha është matësi që mund të na bindë për kostot dhe përfitimet e një vendimmarje të caktuar, dhe jo sulmi që i bëjmë ndryshimeve të domosdoshme. Kush arrin të përfytyrojë apo parashohë këtë progres me sytë e së nesërmes, e ka natyrshëm më të thjeshtë të pranojë dhe negociojë disi për nostalgjinë e së shkuarës.
Prandaj, modeli që Erion Veliaj ka dëshmuar me punën e tij në këto katër vite, është padyshim shumë i mirë, që meriton të replikohet si energji dhe mendësi nga administratorët e rinj që do të zgjidhen, për të drejtuar me dinjitet dhe në përputhshmëri me nevojat dhe ndjeshmëritë e qytetarëve interesat zhvillimore të qyteteve. Kjo filozofi drejtimi, edhe në linjën e zbatimit të reformës administrative territoriale, duhet të shtrihet edhe në territoret e shtuara rurale, për të ngushtuar hendekun që ekziston mes zonave urbane dhe rurale.
Erioni ka tejkaluar sfiden me politiken e ditës. Ai është përpara sfidave të përditshme me qytetarët për bashkinë qe ata duan.