Është grupi i fundit i kandidatëve për rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po i nënshtrohet testit fizik.
Rreth 6600 konkurrentë e kanë kryer këtë test dhe atë të inteligjencës brenda 19 ditëve, raporton KTV. Arlind Ademi thotë se motiv kryesor që të kandidojë ishte formimi i Ushtrisë së Kosovës. Në mesin e aplikantëve që në ditën e fundit i janë nënshtruar këtyre testeve kanë qenë edhe rreth 200 persona nga komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Gjenerali Skënder Zhitia thotë se deri tash procesi i testimit ka shkuar pa asnjë problem.
Ai tregon që pas kësaj faze të testimit kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen intervistës me gojë dhe me shkrim. Por, kandidatët për të qenë pjesëtarë të FSK-së do të duhet të kalojnë edhe disa faza të tjera. Nga 6600 kandidatë për rekrutë të FSK-së do të pranohen vetëm 650.
Rezultatet e testimit fizik dhe atij të inteligjencës pritet të publikohen nga java e ardhshme në webfaqen e Ministrisë së Mbrojtjes.